Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i përgjigjet akuzave të opozitës pas përplasjeve të një dite më parë para Parlamentit. Hoxha tha se e drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e policisë kurse e drejta e dhunës, shkatërrimit e goditjes së punonjësve të policisë nuk do të tolerohet.

“Keqardhje për deputetët e opozitës të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe punonjësve të Gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të policisë kurse e drejta e dhunës, e djegies, shkatërrimit, e goditjes së punonjësve të policisë nuk do të tolerohet”, tha ministri Hoxha.

I pyetur nëse efektivi i denoncuar nga opozita kishte armë, ai tha se në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë dje gjatë mesditës është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga ana e punonjësve të policisë.

“Dua të theksoj se në ligjin për tubimet janë përcaktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Shtetit të cilët kanë qenë pjesë e planit të masave të Drejtorisë së Policisë Tiranë nuk kanë pasur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri. Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe Gardës së Republikës në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk është i pranueshëm sepse forcat e Policisë dhe Gardës është atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese”, deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se forcat e policisë së Shtetit të cilët kanë qenë të planëzuar me shërbim për mbrojtjen e institucioneve kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe për të mbrojtur institucionet. “Ndiej shumë keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj maxhorance me mjete shkatërruese djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë.

Mosbindja civile është një term që po keqpërdore. Punonjësit e policisë janë aty për të mbrojtur rendin dhe qetësinë. Asnjë kapërcim tjetër nuk do lejohet në kuadër të mbrojtjes së Kushtetutës”, deklaroi Hoxha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb