Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ishte sot në Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Ministri u shpreh se Shqipëria e konsideron aftësinë për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si një prioritet madhor me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare dhe garantimin e sigurisë kombëtare.
Hoxha shtoi se Ministria e Brendshme e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave të qëndrueshme për mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve.
“Intensifikimi dhe përhapja e shpejtë e kërcënimeve publike, paraqitet si një sfidë shumë serioze dhe komplekse për stabilitetin vendeve demokratike. Shqipëria si një vend i ndërvarur nga zhvillimet globale dhe duke qenë vend anëtarë i NATO-s, dhe kandidat për në BE, e konsideron aftësinë për t’ju përgjigjur sulmeve hibride si një prioritet madhor me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, kohezionit social me qëllim garancinë e sigurisë kombëtare. Tashmë ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballje më sulmet hibride që kërkon një qasje bashkëpunuese mes gjithë strukturave dhe agjencive shtetërore që janë të angazhuara në përmbushjen e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Hoxha.
Ministri Hoxha tha se në bazë të vlerësimeve të institucioneve të ndryshme të vendeve europiane dhe amerikane, burimet e inteligjencës së vendeve partnere konkludojnë se autorët kryesorë të fushatave hibride dhe formave kryesore të tyre në sulmet kibernetike, janë aktorë shtetërorë dhe organizma të sponsorizuara prej tyre dhe më pak organizata biznesi joqeveritare.
Hoxha theksoi se në nivelin global është e pranuar se në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four”, 4 shtete kryesore, Rusia Kina Irani dhe Koreja e Veriut.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurruese politike. Vlerësohet se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon duke vonuar e kundërshtuar procesin europian të këtyre vendeve nëpërmjet influencës politike dhe ekonomike”, tha Hoxha.
Ministri Hoxha nënvizoi se “propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe të shpërndahej ndërmjet satelitëve të saj në rajon. 90% e propagandës ruse bëhet në gjuhën serbe”.
Sa i përket Shqipërisë, Hoxha theksoi se “është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe e satelitëve të saj në rajon”.
“Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuse ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe. Këto vazhdojnë të kenë një shikueshmëri dhe lexueshmëri të kufizuar dhe një numër të vogël klikimesh”, tha ministri.
Ministri Hoxha tha se “format kryesorë të dezinformimit përfshijnë sulmet kibernetike duke ndërhyrë në baza elektronike të të dhënave qeveritare, manipulimi i mediave sociale për të ndikuar në perceptimet publike dhe për të polarizuar opinionin e ushtruar kryesisht me të ashtuquajtura, lajmet të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale. Narrativa kulturore duke shfrytëzuar tensionet fetare dhe etnike për qëllime destabilizimi. Mediat tradicionale audiovizive të cilat përdoren për përhapjen e informacioneve të manipuluara”.
“Ashtu sikur jemi në dijeni në korrik të 2022, Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike të organizuara nga një grup hakerash me origjinë nga Irani. Falë bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë u arrit minimizimi i dëmeve të shkaktuara nga ky sulm”, tha ministri.