Ministri i Brendshëm i Kosovës, Ekrem Mustafa ndodhet në Shqipëri për një vizitë që ka si qëllim solidaritetin me familjet e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit. Ai ka qenë në studion e News24, në rubrikën “Opinion” ku ka folur për një sërë çështjesh të rëndësishme duke nisur edhe me situatën në Kosovë.

Mustafa tha se ka statistika që tregojnë rënie të krimeve dhe numrit të aksidenteve. Ndërkohë Mustafa propozoi një bashkëpunim të brendshëm më të mirë mes dy vendeve sa i përket informacioneve.

“Situata në Kosovë është stabile, e qetë. Statistikat tregojnë rënie të krimeve dhe numrit të aksidenteve.
Në rend publik duhet punuar çdo ditë, duhen marrë përvojat më të mira të shteteve më të zhvilluara duke i përshtatur me Kosovën. Ne kemi një pjesë më sensitive që do kujdes më të veçantë është Veriu i Kosovës pavarësisht se policia e Kosovës ka kontrollin e plotë në veri. Nuk kemi probleme por është pjesë më sensitive. Ne si ministri e Punëve të Brendshme duhet të punojmë në trajnimin dhe trajtimin sa më të mirë duke parë progresin e teknologjive që po shkon lart e më lart. Këtë vit, jam i pari ministër që kam arritur të krijoj një siguri kibernetike të kriptimit të rrjeteve tona në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, deklaro Mustafa.

Sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve, Mustafa tha se është në nivele të larta dhe se patrullat e përbashkëta kanë shkuar këtë vit në sezonin turistik deri në jug të Shqipërisë.
“Sa i përket bashkëpunimit ndërpolicor e kemi të ngritur në nivele të larta. Bashkëpunimi me Shqipërinë shumë i mirë. Këtë vit kemi nënshkruar dy marrëveshje si ajo për lejen e drejtimit dhe bashkëpunimi policor. Kemi bashkëpunuar edhe gjatë sezoneve me patrulla policore. Kemi shkuar këtë vit deri në Jug. Statistikat tregojnë se ka pasur probleme shumë më të vogla se vitet e tjera.
Kemi bërë stërvitje të përbashkëta. Do kisha propozuar që bashkëpunimi i brendshëm të zhvillohet më shumë, informacionet të vijnë në kohë. Kosova është një pjesë e rajonit ku mungon anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, informacionet i kemi më të vonshme, do të thotë Shqipëria ka mundësi të na ndihmojë sa i përket informacioneve për personat në kërkim, për problemet qenësore të cilat ndodhin në prishjen e rendit publik. Unë si ministër i Brendshëm i kam hapur dyert këtij bashkëpunimi dhe kam gjetur përkrahje edhe nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë dhe çdo situatë është nën kontroll”, deklaroi Mustafa.

Ai foli dhe për luftën kundër drogës, për të cilën tha se ka një strategji funksionale.
“Janë fenomene që nuk mund të izolohen në tërësi. Policia duhet të jetë vigjilente. Ne i identifikojmë zonat dhe i asgjësojmë. Strategjia anti-drogë në Kosovë funksionon. Në muajt e fundit kemi organizuar dhe task forcën, zero drogë nëpër shkolla. Strategjia është shumë funksionale, kemi përkrahjen dhe ndërkombëtare”, u shpreh ministri.

Ndërkaq Mustafa u ndal dhe tek karriera e tij si mjek sportiv dhe kalimi në politikë.
“Unë jam marrë që në ‘89 me biznes. Kam pasur sukses. Në shumicën e bizneseve jemi rritur edhe në planin ndërkombëtar. Si mjek kam treguar rezultatet e mia por angazhimi publik ka qenë gjithmonë tek unë por nuk jam marrë me politikë. Kur jam emëruar ministër, janë marrëveshje të koalicionit, partia ime AKR më ka emëruar dhe e kam pranuar si detyrë. Kam pranuar të ballafaqohem dhe përballem me problemet që i gjej. Momenti i parë ka qenë identifikimi i problemeve të stafit të ministrisë dhe policisë. Që ata t’i motivoj për punën.
Momenti tjetër ka qenë radhët e gjata në kufi me Shqipërinë dhe bashkë me ministrin Lleshaj kemi bërë të mundur që ky problem të evitohet. Me 50% është ulur ngarkesa në pikën e Morinës”, veçoi dy momente nga puna e tij si ministër, Mustafa.

Sa i përket situatës para zgjedhjeve në Kosovës, ai tha se është mjaft e mirë.
Ndërsa për qëllimin e vizitës së tij, Mustafa deklaroi se do të ketë një bashkëpunim për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti në Shqipëri. “Ka qenë kërkesë e zëvendës kryeministrit të parë zotit Pacolli, për t’u solidarizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti”, u shpreh Mustafa.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb