TIRANË-Italia dhe Shqipëria do të krijojnë grupe të përbashkëta hetimi, për të luftuar terrorizmin dhe për të shmangur fenomenin e luftëtarëve të huaj, që luftojnë përkrah terroristëve në Siri dhe Irak. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, ministrat e Brendshëm të Italisë dhe Shqipërisë, Tahiri dhe Alfano theksuan nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, duke nënvizuar se grupi bilateral Shqipëri-Itali është një grup i hapur edhe për vendet e tjera të rajonit.

“Grupi i përbashkët ndërmjet ekspertëve dhe hetuesve të policive të të dyja vendeve nis si grup bilateral, por është i hapur për kontributin e vendeve të tjera, më së pari Kosova. Eshtë një grup i hapur që nis si iniciativë bilaterale ndërmjet nesh, por mirëpret Kosovën dhe vende të tjera të rajonit”- deklaroi ministri Saimir Tahiri.

“Me kolegun Alfano ndajmë prioritetet jo vetëm të bashkëpunimin dypalësh, por edhe prioritete rajonale dhe globale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Ngjarjet e para pak ditëve në Paris shpresoj ta kenë sjellë realisht në qendër të vëmendjes dhe në prioritet absolut çështjen e bashkëpunimit ndërmjet nesh në nivel dypalësh, por dhe bashkëpunimin e rajonit dhe BE-së për të adresuar në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme luftën kundër terrorizmit. Ndamë opinione të përbashkëta lidhur me domosdoshmërinë për të forcuar kapacitetin tonë bilateral në luftën konkrete kundër terrorizmit, deri në krijimin e grupeve të përbashkëta të hetimit. Shqipëria ka një njësi kundër terrorizimit që është padyshim më e madhja në Ballkan. Në këtë kuadër Italia do të na japë ndihmë në nivel të forcimit të kapaciteteve dhe të njohurive”- deklaroi Tahiri.

Nga ana e tij, ministri italian Alfano tha se do t’i propozojë presidencës lituaneze në BE-së që ministrat e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në mbledhjen e ministrave të BE-së për luftën kundër terrorizmit.

PYETJE NGA GAZETARET

Kur pritet të fillojnë nga puna grupet e përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë dhe a do të ftohet edhe Kosova?

Ministri Saimir Tahiri: Ky takim është një takim normal pune ndërmjet nesh, me iniciativa konkrete për të adresuar probleme konkrete.

E para, për të adresuar në nivel politik çështjen e terrorizmit duke mos lënë jashtë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit në tryezën ku kolegët e BE-së diskutojnë politikat dhe adresimin e çështjeve të luftës kundër terrorizimit dhe radikalizmit. Pra që këtu nis propozimi i parë për të përfshirë në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm të BE-së, edhe Ministrat e Brendshëm të rajonit, duke konsideruar që kjo është mënyra më e mirë për të adresuar bashkarisht luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit; e dyta, për të përfshirë Shqipërinë në grupet e përbashkëta të hetimit të cilat janë disa të ngritura në vendet e BE-së, për të përfshirë dhe Shqipërinë dhe vendet e rajonit, në mënyrë që hetimi të jetë më i plotë, shkëmbimi i informacionit të jetë më i plotë dhe adresimi i problematikës të jetë më i plotë, dhe, e treta, ngritja e një grupi të posaçëm ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, duke na dhënë neve mundësinë të adresojmë shumë më mirë aspekte të shkëmbimit të shpejtë të informacionit, jo në parim por çështje pçër çështje, dhe e dyta, për të punuar bashkarisht në fusha ku kemi sigurisht nevojë edhe të mësojmë por edhe të punojmë bashkarisht për të bërë shumë më të thjesht kapërcimin e pengesave që njeh lufta kundër terrorizmit, në qoftë se do ishim veç.

Grupi i përbashkët ndërmjet ekspertëve dhe hetuesve të Policive të të dyja vendeve, nis si grup bilateral, por sigurisht është i hapur për kontributin e vendeve të tjera, më së pari sigurisht Kosova, për sa kohë edhe qendra kundër terrorizmit që është ngritur në Policinë e Shtetit ka lidhje mjaft të ngushta me policinë në Kosovë dhe me njësinë që lufton terrorizmin atje.

Kolegu Alfano e tha, është një grup i hapur, që nis si iniciativë bilaterale ndërmjet nesh, por që sigurisht mirëpret Kosovën por edhe vende të tjera të rajonit të cilat kanë elementë të theksuar, ose sinjale mjaft të rëndësishme për të konsideruar prioritet absolut luftën kundër terrorizmit.

Sa i takon pyetjes së dytë, hetimet janë në vijim. Ka hetime të tjera që kanë filluar dhe janë në vijim. Eshtë e sigurt që lufta kundër çdo elementi që merret me organizimin dhe dërgimin e atyre që quhen “foreign fighters” të luftojnë një luftë tjetër që nuk është lufta jonë, është shumë më e thellë sesa hetimet që kanë kaluar apo që janë rrugës.

Unë nuk mund të jap detaje por e sigurt është që vetëm bashkëpunimi ndërmjet nesh mund të çojë më mirë në adresimin e këtij fenomeni, për ata që nisen por mbi të gjitha edhe për ata që kthehen të cilët menjëherë kanë konsumuar një akt terrorist sipas legjislacionit të ndryshuar, Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Siç dakordësuam që të shkëmbejmë informacion ose të ndërtojmë një database të përbashkët informacioni lidhur edhe me këta, për të shmangur çdo mënyrë që një shtetas që niset nga Shqipëria të kthehet në Itali apo në vende të tjera të BE-së.

Por ky fenomen të luftohet në mënyrë të njëjtë, pavarësisht origjinës, pikënisjes apo të destinacionit final të personit që niset për të konsumuar një akt terrorist siç është ai i të luftuarit të një lufte që nuk është lufta e shpallur e vendit.

A ka rrezik real për akte terroriste në Romë?

Ministri Angelino Alfano: Roma dhe Italia janë pjesë e atij koalicioni, i cili që prej 2001-it lufton kundër terrorizmit, e kësisoj ne jemi të ndërgjegjshëm që jemi pjesë e asaj bashkësie që është e sulmuar nga terrorizmi ndërkombëtar. Dhe dimë gjithashtu që flamuri i zi i vendosur mbi kupolën e katedrales San Pietro nga ana e të vetëshpallurit “kalif”, nuk është vështirë të interpretohet në thelbin e asaj që dëshiron të përfaqësojë në mesazhin që përcjell.

Megjithëse ne nuk kemi ndonjë kërcënim konkret e të dallueshëm dhe as sinjale për organizim atentatesh. Por kjo megjithatë nuk na bën të ndihemi të qetë dhe niveli ynë i alarmit qëndron tepër i lartë, dhe prandaj kemi rritur sigurinë në të gjitha objektivat e mundshme, në një mënyrë edhe më efikase sesa kemi bërë deri më sot.

A keni emra nga SHISH për personat që janë në ndjekje penale?

Ministri Saimir Tahiri: Mos më pyesni për gjëra konkrete që kanë të bëjnë me veprimtarinë hetimore të Policisë dhe Prokurorisë për luftën kundër terrorizmit. Mos prisni që unë të kem një përgjigje për këtë, sepse ka të bëjë me çështje që përmblidhen në hetime dhe unë nuk mund të flas publikisht për to.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: