Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Marokut, në kuadër të 63-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Gjatë takimit me homologun maroken, u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët, ku u theksua rëndësia e stabilitetit në Saharanë Perëndimore dhe rajonin e Sahelit për sigurinë globale.
Maroku njohu kontributin e Shqipërisë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu mbështetje për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në kuadër të afrimit mes dy vendeve, Maroku ka finalizuar heqjen e vizave për shqiptarët për qëndrime afatshkurtra, duke lehtësuar lëvizjen mes dy vendeve.
Gjithashtu, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi midis akademive diplomatike të Shqipërisë dhe Marokut, për të forcuar bashkëpunimin dhe trajnimin diplomatik.
Për të nxitur investimet dypalëshe, në Tiranë pritet të zhvillohet Forumi i Biznesit Shqipëri-Marok deri në fund të vitit.
