Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë një muaj për të filluar negociatat, paralajmëroi ministri i jashtëm i Francës, duke sugjeruar që plani i Teheranit për të rritur aktivitetet e tij bërthamor do të nxiste përshkallëzimin e mëtutjeshëm të tensioneve në rajon.

Presidenti francez Emmanuel Macron u përpoq, por nuk arriti të ndërmjetësojë bisedimet midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit iranian, Hassan Rouhani, në Neë York, javën e kaluar.

“Ne konsiderojmë se këto iniciativa, të cilat nuk patën sukses, janë ende në tryezë dhe i takon Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që t’i shfrytëzojnë ato në një kohë relativisht të shkurtër sepse Irani ka njoftuar masa të reja për të zvogëluar angazhimet e tij që dalin nga marrëveshja bërthamore”, tha ministri Jean-Yves Le Drian, shkruan Rel.

Irani po shkel kufizimet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore, hap pas hapi, si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane të vendosura, që kur Uashington u tërhoq nga marrëveshja, në maj të vitit të kaluar. Irani ka thënë se veprimet e rradhës, në kundërshtim më marrëveshjen, do të ndodhin në fillim të nëntorit dhe diplomatët kanë frikë se kjo masë mund të detyrojë fuqitë evropiane për t’u përgjigjur.

“Këto masa rrezikojnë të çojnë në një periudhë të re tensioni dhe përshkallëzimi të ri, kështu që ne duhet të përfitojmë nga hapësira politike që ekziston për të ecur përpara”, tha ministri Le Drian. Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se është i përgatitur të zhvillojë bisedime me Iranin për një marrëveshje më të gjerë, duke argumentuar se sanksionet e saj të ashpra ekonomike do ta detyrojnë Iranin të ulet në tryezën e bisedimeve.

Teherani, megjithatë, ka përjashtuar bisedimet deri sa të hiqen sanksionet amerikane, ndërsa po vazhdon zgjerimin e kapaciteteve bërthamore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb