Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme hungareze Levente Magyar e quajti të martën në Luksemburg një “katastrofë” vendimin e Bashkimit Europian për të shtyrë më tej hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Me vendimin e saj, BE-ja po kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka humbur kredibilitetin në të dy vendet”, u tha Magyar gazetarëve hungarezë pas një takimi të ministrave të BE-së për Europën.

Qeveria hungareze do të përdorë të gjitha fuqitë e saj “për të ndryshuar”, me ndihmën e Përfaqësuesit të ardhshëm hungarez në Komisionin e ri Europian, këto zhvillime që mund të sjellin pasoja shumë të dëmshme në Ballkanin Perëndimor, tha ai.

Sidoqoftë, “forcimi politikisht i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi do të rrisë gjithashtu aftësitë e tyre të mbrojtjes dhe do t’i ndihmojë ata të ndajnë barrën e migracionit që Hungaria aktualisht mbart e vetme në BE”, tha Magyar.

Ai kërkoi caktimin e një afati të arsyeshëm për integrimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të parandaluar një konflikt të mundshëm në Ballkan.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb