Irani është në favor të paqes, por është gjithashtu i përgatitur për çdo skenar, tha sot ministri i Jashtëm i vendit, Abbas Araghchi, raporton Anadolu.
“Përhapja e luftës në rajon është një kërcënim serioz; ne jemi në favor të paqes, por jemi gjithashtu të përgatitur për çdo skenar”, tha Araghchi në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk Hakan Fidan në Istanbul.
Pavarësisht protestave ndërkombëtare dhe përpjekjeve për t’i dhënë fund konflikteve, Izraeli po i vazhdon sulmet e tij ajrore dhe tokësore si në Liban ashtu edhe në Gaza.
Në fillim të këtij muaji, Irani lëshoi raketa në Izrael në kundërpërgjigje për vrasjen e shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se Irani do të “paguajë” për sulmin dhe raportohet se është ende duke shqyrtuar mënyrën e përgjigjes.
Araghchi tha se Izraeli po përpiqet t’i vërë flakën rajonit me sulmet e tij në Gaza dhe Liban, duke shtuar: “Regjimi izraelit nuk njeh kufij në krimet e tij të luftës. Ne mbështesim një armëpushim të përhershëm dhe të menjëhershëm në Gaza dhe Liban”.
Qëndrimi i Turqisë “për të mbështetur popullin palestinez dhe për t’u ngritur kundër krimeve të Izraelit është për t’u lavdëruar”, shtoi ai.
Araghci arriti të premten për një vizitë dyditore në Turqi.