Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Zarif është shprehur gjatë vizitës së tij në Japoni se Teherani po tregon “vetëkontroll maksimal”, pavarësisht largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Zarif akuzon Uashingtonin për rritje të panevojshme të tensioneve në rajonin e Gjirit Persik.

“Përshkallëzimi i tensioneve nga ana e Shteteve të Bashkura të Amerikës është i papranueshëm. Po tregojmë vetëkontroll maksimal. Teherani vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj marrëveshjes dhe vëzhguesit ndërkombëtarë janë shprehur se Irani po zbaton plotësisht marrëveshjen”

Ministri i jashtëm Iranian ka shprehur shpresën se Japonia dhe aleatë të tjerë të SHBA-së, do të ndërmarrin hapa për të ruajtur këtë marrëveshje ndërkombëtare. Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur që prej majit të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u larguan nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Irani është zotuar për frenim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare. Trump është shprehur se kushtet e këtij dokumenti nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin të krijojë armë bërthamore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb