TIRANE– Presidenti i Republikës sipas ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, duhet të jetë konsensual dhe të ketë një autoritet moral, duke gëzuar kështu respektin dhe besimin e palëve. Këtë e ka shprehur pasditen e sotme në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ministri Panariti, duke shprehur edhe qëndrimin e tij në rast se do t’i propozohej posti i Presidentit.

“Ka një plejadë emrash që qarkullojnë këto ditë nga radhët e politikës, si kandidatë potencialë për president. Secili ndihet i nderuar kur ndjen se mund të konsiderohet si kandidaturë e mundshme për këtë post të lartë. Unë mendoj se Presidenti i Republikës duhet të jetë një autoritet moral që të gëzojë respektin dhe besimin e palëve. Roli i Presidentit duhet të jetë më aktiv, dhe të shërbejë si një katalizator për zgjidhjen e ngërçeve. Ndaj zgjidhja e Presidentit duhet të jetë një proces konsensual.

Çdokush duhet të jetë i nderuar nëse prezantohet kandidatura e tij për këtë post. Do të ishte burracakëri që të tërhiqet çdokush që në fakt do t’i kërkohet të japë kontributin e tij në këtë proces. Mendoj se askush nuk duhet të tërhiqet para përgjegjësive, as unë nëse më propozohet”, tha Panariti.

Ministri Panariti ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në këtë proces. Sipas tij, një president konsensual ndikon në arritjen e rezultateve më pozitive në vend, dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

“Në rast se ne do të kishim të bënim me një situatë normale, do të ishte i logjikshëm propozimi nga mazhoranca i një emri për president. Por ne ndodhemi përballë një absurdi ku kemi një Parlament me gjysmën e tij. Nuk do të ishte e drejtë që ne të nguteshim dhe të tregonim një qëndrim force duke sjellë një emër. Nuk kemi pse riciklojmë situata që për fat të keq i kemi përjetuar edhe më parë. Figura e presidentit në mos qoftë e pranuar, të paktën të mos jetë e kontestuar. Opinioni i opozitës në këtë pikë është i rëndësishëm. Veprimet konsensuale edhe në kuadrin e reformave kanë sjellë rezultate më të qëndrueshme. Edhe për reformën në drejtësi ishin votat, por u bënë përpjekje të vazhduara për konsensusin”, theksoi ai.

Panariti shprehet se shkaktarë për situatën e krijuar në vend, janë vetë palët politike. Sipas tij, retorika e akuzave në Parlament, por edhe jashtë tij, ka krijuar një krizë mosbesimi. Panariti ka bërë apel për dialog, në mënyrë që ngërçi politik të zgjidhet sa më parë.

“I bëmë helmim jetës politike në vend, nga një retorikë akuzash, duke mbjellë çdo ditë klimën e mosbesimit, e cila solli një ngërç, ku gjysmën e parlamentit e kemi jashtë. Duhet krijuar kriza për dialog. Inkurajoj çdo përpjekje të palëve për të gjetur rrugën e dialogut. Jam i bindur se palët do të arrijnë kompromis, por kjo duhet arritur sa më shpejt në mënyrë që kostot për vendin të jenë sa më pak. Kemi dëgjuar zërat se po digjen raundet për zgjedhjen e presidentit, por unë këtë e shoh si përpjekje të mazhoranës për të pritur që t’i bashkohet edhe opozita. Pavarësisht se mazhoranca i ka votat, Kushtetuta parashikon 2/3 e votave për të përfshirë edhe opozitën”, u shpreh Panariti.

Sakaq, ministri i Bujqësisë është ndalur edhe tek ligji për çështjen e veterinarisë, duke u shprehur se në sajë të këtij reformimi u bë i mundur krijimi i një databaze për të gjitha kafshët dhe shpendët. Sipas Panaritit pas kartelizimit, bëhet i mundur edhe vaksinimi i të gjithë llojeve të kafshëve e shpendëve, në mënyrë që të mbrohen nga sëmundjet.

“Reforma e veterinarisë ka qenë një ndër më të suksesshmet të ndërmarra në sistemin e bujqësisë. Ka qenë një sistem i shkalafitur i ndarë në disa departamente që nuk bashkëpunonin siç duhet. Kjo situatë mori fund me reformën e veterinarisë. Kjo ka rritur përgjegjshmërinë dhe mbulimin e gjithë vendit me përkujdes në fushën e veterinarisë. Tani jemi edhe përballë sfidave të reja të sëmundshmërisë që po shfaqen vit pas viti. Falë insistimit tim kemi siguruar vaksinat për disa sëmundje. Kemi stokun vaksinal, por këto vaksina tashmë duhet të bëhen. Dhe kjo kërkon trupë veterinare. Fushata tashmë ka filluar, por duhet të përfundojë brenda muajt maj në mënyrë që tufat e bagëtive të imëta apo edhe gjedhët të imunizohen dhe të mos preken nga sëmundjet. Po identifikohen edhe kosheret e bletëve, edhe statistika për shpendët, derrat, etj. Pra po krijohet një kartelizimi kafshëve, në mënyrë që të gjurmohet me saktësi prodhimi”, tha ministri Panariti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: