Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se vendet fqinje kanë dhënë garanci se nuk do të lejojnë që territori i tyre të përdoret kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë së lajmeve ANA me qendër në Iran, Araghchi me gazetarët në Kuvajt ku ndodhet për takime zyrtare ka vlerësuar vizitat që ka zhvilluar në vendet e rajonit.
“Fqinjët tanë kanë dhënë garanci se nuk do të lejojnë që territori i tyre të përdoret kundër Iranit. Kuvajti është vendi i 11 që vizitoj në rajon. Në të gjitha këto vende ka mendim të unifikuar për përfundimin e tensioneve dhe jo rritjen e tyre”, deklaroi Araghchi.
Ai tha se nëse vendet e rajonit tregojnë përpjekje, ato mund të parandalojnë rritjen e luftës. Araghchi theksoi se vendi i tij pavarësisht se është i gatshëm për çdo skenar nuk e dëshiron luftën në rajon.
“Izraeli po bën përpjekje për zgjerimin e luftës në rajon dhe ne duhet ta parandalojmë këtë katastrofë. Të gjitha vendet në rajon thanë se janë kundër sulmit të Izraelit ndaj Iranit. Do të japim kundërpërgjigje në të njëjtën mënyrë nëse Izraeli sulmon”, tha shefi i diplomacisë iraniane.