Në kushtet e krizës politike në të cilën ndodhet vendi aktualisht ministri i jashtëm i Italisë Enzo Moavero Milanesi ka kontaktuar me dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.


Në bisedën telefonike të zhvilluar me ta, kreu i diplomacisë italiane ka kërkuar sigurinë maksimale në respektim të rregullave thelbësore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në pritje të zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit ministri Milanesi ka ritheksuar se pavarësisht divergjencave mes forcave politike shqiptare, është shumë e rëndësishme shmangia e cdo lloj dhune, ndërsa ka kërkuar nga Rama e Basha që qëndrimet e tyre për datën e zgjedhjeve t’i shfaqin në respekt të demokracisë.


Me këtë “frymë realiteti të rëndë në reciprocitet me dialektikën politike kundërshtare”, ministri i jashtëm italian ka kërkuar që të garantohet, siguria dhe korrektësia e procesit elektoral në Shqipëri, që sipas tij do të monitorohet edhe nga një mision ndërkombëtar, i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, ku bëjnë pjesë vëzhgues nga shumë vende përfshirë edhe Italinë.


(BalkanWeb)