TIRANE-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka priti sot në një takim, zyrtar te Bordit Drejtues të Qendrës Rajonale te Mjedisit (REC), me të cilët diskutoi mbi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit, sfidat mjedisore dhe politikat e ndërmarra në këto 3- vite për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Ministri Koka vlerësoi Ministrinë e Mjedisit si një nga ministritë lider në punën e bërë për transpozimin e kuadrit ligjor me atë të BE-së duke u ndalur gjithashtu në reformën e rëndësishme administrative që kjo Ministri ndërmori me krijimin e 3 institucioneve të saj të varësisë ISHMP, AKM dhe AKZM, ku vlerësoi se pavarësia e tyre ka rritur ndjeshëm transparencën dhe performancën e tyre në sektorët që mbulojnë.

Ai vlerësoi se çdo ligj i ri që miratohet, shton sfidën ndaj administratës publike për implementimin e tij sipas pritshmërive. Ministri Koka pohoi se sfida e tij për rritje të ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe qytetarëve shqiptarë ndaj Mjedisit ka dhënë rezultate të kënaqshme dhe se përfshirja e shoqërisë civile dhe organizatave mjedisore në vendimmarrje sot është më konkrete. Kreu i Bordit Drejtues të REC nga ana e tij siguroi se Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë aktorët kryesorë vendimmarrës në pushtetin qendror dhe atë vendor përmes rrjetit të tyre të ekspertëve në fushat e edukimit mjedisor, përmirësimin e kuadrit ligjor si dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore

Palët pas diskutimit ranë dakord se REC do të angazhohet për bashkëpunimin dhe ofrimin e ekspertizës dhe asistencës në punën që Ministria e Mjedisit po bën për përmirësimin e Kodit Penal për krimet mjedisore, i pandryshuar ky qysh në 1995, përmes programeve dhe rrjeteve me ekspertët ndërkombëtare më të mirë që REC ka të angazhuar. Anëtarët e Bordit Drejtues të REC, përfaqësues të qeverisë Hungareze dhe Italiane nga ana e tyre u angazhuan për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Ministrive në fushën e Mjedisit e sektorët e cilësisë së ujit, menaxhimit të integruar të përmbytjeve si dhe menaxhimin e Alpeve Shqiptare
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: