TIRANË- Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar sot me Ambasadorin Amerikan në Tiranë, Donald Lu, ndërsa ngritja dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit është kryefjala e bisedës mes tyre.

Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se ndryshe nga tre ditë më parë, ku Ambasadori Lu shoqërohet dhe nga drejtues të Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së), diplomati sot është paraqitur i vetëm në mjediset e Ministrisë së Brendshme.

Tre ditë më parë Ministri Tahiri u takua me Zv.Ndihmës Drejtorin, J. Chris Warrener dhe Zv.Ndihmës Drejtorin, Brian Mccauley të FBI, me të cilët ka diskutuar lidhur me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Byroja Kombëtare e Hetimit do të shënojë një standard të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Drejtuesit e FBI theksuan mbështetjen për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në angazhimin kundër çdo lloj paligjshmërie dhe forcimit të shtetit të së drejtës në vend.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb