Nga: ERION KACORRI
TIRANE- Ministri turk i ekonomisë Nihat Zeybekçi, ne nje intervistë për televizionin News 24 deklaron se së shpejti do të krijohet një grup teknik mes Turqisë dhe Shqipërisë që do të takohet çdo muaj për të përmirësuar tregtinë dhe investimet në Shqipëri ndërsa si ministra do të takohemi çdo tre muaj. “Sa i përket pyetjes suaj në Shqipëri kemi pothuajse 300 investitorë turq, ose mbi një miliard dollarë investime turke në vendin tuaj. Volumi tregtar është rreth 300 milion dollarë amerikanë mes dy vendeve. Nuk është keq, por duke e krahasuar me kapacitetin që kanë dy vendeve tona, nuk është mjaftueshëm. Sa më shpejt duhet ta çojmë në 500 milion dollarë amerikane. Me synimin qe ta çojmë me vonë në një miliard dollarë amerikane. Nevojitet që ta rrisim volumin tregtar. Nga ana tjetër, Shqipëria për Turqinë zë një vend te rëndësishëm.
Sipas ministrit Zeybekçi Shqipëria është partner strategjik i Turqisë.
“Ne e shikojmë Shqipërinë si një vend strategjik për transportin, për logjistikën, për prodhimin, energjinë, për të gjithë rajonin është shumë i rëndësishëm. Siç e dini Turqia është duke u bërë një qendër e re për energjinë për rajonin e euroazisë. Nga ana tjetër sa i përket energjisë për në Europë, Turqia dhe Shqipëria janë korridor strategjik dhe në të njëjtën kohë për transportin, Shqipëria është shumë e rëndësishme.

Duke u ndalur në marrëdhëniet historike mes dy vendeve tona, ministri i ekonomisë Turke shprehet nuk kanë pasur kurrë ndonjë aspekt negativ. “Kemi lidhje shumë të forta mes dy vendeve. Popullata Shqiptare në Turqi mendoj se është më e madhe se vetë popullata në Shqipëri”.

Sipas ministrit Zeybekçi Turqia po i mbështet kompanitë turke që të investojnë në Shqipëri. “Ne po i nxisim ato që të shkojnë në Shqipëri për të investuar. Tashmë do të krijojmë një grup teknik mes dy vendeve tona që do të takohet çdo muaj për të përmirësuar tregtinë dhe investimet në Shqipëri ndërsa si ministra do të takohemi çdo tre muaj. Nga ana tjetër, Shqipëria dhe Turqia kanë marrëveshje të tregtisë së lirë që nga viti 2006, por e kufizuar vetëm me mallrat industriale. Tashmë ne do të donim ta zgjeronim këtë marrëveshje duke përfshirë shërbimet dhe investimet. Në botë Turqia ka rreth 30 marrëveshje për tregtinë e lirë. Ne do të negociojmë me Shqipërinë që kjo marrëveshje për tregtinë e lirë të jetë më e gjera në botë. Siç thashë, Shqipëria është vend strategjik, vend partner dhe do të jetë një lloj bazamenti për marrëdhëniet ekonomike më pjesën tjetër të Europës. Turqia nga ana tjetër do të jetë një lloj bazamenti për marrëdhëniet e Shqipërisë me Azinë e mesme, më kaukazin, me lindjen e mesme. Dy vendet tona, Shqipëria dhe Turqia e kompletojnë njëra-tjetrën. Çfarë i mungon Turqisë, e ka Shqipëria, dhe çfarë i mungon Shqipërisë, e ka Turqia. Shpresoj që investimet turke të rriten ndjeshëm në Shqipëri gjatë 2015-ës.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: