TIRANE
Në një takim me studentë, rektorë, dekanë e pedagogë, ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Besa Shahini prezantoi sot Draft-Paktin për Universitetin, në një nga sallat e Art’Turbina në Tiranë.
Ministrja e re e Arsimit, Shahini teksa komentoi Paktin, u shpreh se ky draft është i hapur për çdo koment të studentëve.
Në takim përveç saj, folën edhe ministrat e tjerë të kabinetit Rama, të cilët komentuan mënyrën sesi do vazhdojë bashkëpunimi mes ministrive dhe fakulteteve përkatëse.
Kostoja në Draft-Paktin për Universitetin
Kostoja për student në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), në varësi të programit dhe IAL-së, luhatet nga më e ulëta 55,000 lekë në Universitetin e Durrësit deri në 470,000 lekë më e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kontributi i buxhetit të shtetit tek kjo kosto luhatet nga 54% në IAL me kosto më të ulët, në 91% në koston më të lartë.
Si rezultat, studenti paguan 25,000 lekë për programin me koston më të ulët deri në 45,000 lekë për programin me koston më të lartë. Buxheti i shtetit mbulon kostot:
-
- Në Universitetin e Tiranës, për 81% të studentëve, në masën 63%-74%;
- Në Universitetin e Mjekësisë, për 100% të studentëve, në masën 70%-77%;
- Në Universitetin Politeknik, për 90% të studentëve, në masën 61%-72%;
- Në Universitetin Bujqësor, për 100% të studentëve, në masën 69%-80%;
- Në Universitetin e Sporteve, për 100% të studentëve, në masën 83%;
- Në Universitetin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës, në masën 54%;
- Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në masën 66%;
- Në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, në masën 81%;
- Në Universitetin “Eqrem Cabej” në Gjirokastër, në masën 90%; \
- Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në masën 74%-80%;
- Në Universitetin “Ismail Qemaili” në Vlorë, në masën 82%
(BalkanWeb)