Që prej vitit 2012, qeveria ka integruar në buxhet financimin e politikave për barazinë gjinore. Ministria e Financave, në një intervistë të posaçme, referoi se këtë vit, fondi buxhetor që adreson politika me bazë gjinore është 74.4 miliardë lekë (73 milionë euro), ku 38% e tij shkon për të mbështetur masat në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe 8%, për politika gjinore në fushën e arsimit. Por ende nuk ka përllogaritje se sa kanë ndikuar fondet buxhetore në mbylljen e hendekut gjinor

A zbatohen në Shqipëri praktikat e buxhetimit gjinor?

Që prej vitit 2012, Ministria e Financave, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e UN WOMEN në Shqipëri, ka ndërmarrë nismën e integrimit të parimeve të Buxhetimit të Përgjithshëm Gjinor (BPGJ) në proceset e programimit të buxhetit vjetor dhe atij afatmesëm.

Rrjedhimisht, më 18 korrik 2012, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi Vendimin Nr. 465 “Për integrimin e pikëpamjes gjinore në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA)”.

Vendimi shënjoi fillimin e përpjekjeve për integrimin e parimeve të buxhetimit gjinor në procesin e buxhetimit, me qëllim lehtësimin dhe/ose eliminimin e pabarazive gjinore në fusha të ndryshme të jetës së vendit, ku veprojnë politikat publike.

Në strategjinë e menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, si dhe në të gjitha dokumentet që kanë pasuar më tej këtë strategji, buxhetimi i përgjithshëm gjinor ka qenë pjesë e pandashme e reformave të financave publike, që janë promovuar dhe zbatuar në praktikë.

Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor përbën shtyllën e tretë të strategjisë kombëtare të barazisë gjinore dhe si e tillë, adreson çështje gjithëpërfshirëse dhe të ndërsjella në të gjithë fushat.

Parimi i Barazisë Gjinore është përfshirë në Parimet e Sistemit Buxhetor të përcaktuara në ndryshimet e kryera në 2 Qershor të vitit 2016, në Ligjin nr.9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në ligjin “Për Financave Vendore”. Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor tashmë është pjesë e rëndësishme e procedurave dhe praktikave të përgatitjes së buxhetit, si dhe monitorimit të zbatimit të tij, sidomos në nivelin qendror të qeverisjes. Përpjekje të vazhdueshme janë bërë dhe vijojnë të bëhen për përfshirjen efektive të tij edhe në procedurat dhe praktikat e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit në nivel vendor.

Që prej 2015, numri i programeve buxhetore që përfshijnë elemente të politikave me ndjeshmëri gjinore është rritur, duke rezultuar tashmë në 76 të tilla nga 131 programe buxhetore gjithsej në nivel qendror, të cilat përkthyer në shifra alokimesh buxhetore, shkojnë nga 1% e shpenzimeve të përgjithshme publike në 2015, në rreth 10% në vitin 2024.

Përpjekjet e bëra në ndërtimin e politikave publike të përgjegjshme dhe efektive gjinore kanë rezultuar dhe në ngritjen dhe funksionimin e një sistemi të fortë të planifikimit të integruar, i cili përforcon lidhjen midis Planifikimit Strategjik dhe Proceseve të Buxhetimit Afatmesëm. Kjo lidhje sigurohet nëpërmjet sistemeve informatike siç është IPSIS, i cili do të lehtësojë planifikimin dhe koordinimin e politikave, si dhe do të sigurojë lidhjet e politikave publike me sistemin informatik financiar të buxhetimit afatmesëm (AFMIS), një qasje shumë e kërkuar nga Ministria e Financave, duke mundësuar në të njëjtën kohë aplikimin e BPGJ-së dhe përmes tij.

Këto dy sisteme gjithashtu do t’i mundësojnë Qeverisë të gjurmojë më mirë alokimet dhe shpenzimet për zbatimin e SDG5 (Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 5) dhe të masë progresin kundrejt treguesit SDG 5c.1, i cili është treguesi kryesor i BPGJ-së.

Për më tepër, këto sisteme na lejojnë të zhvillojmë objektivat gjinore dhe treguesit kryesorë të performancës (TKP), dhe në fund t’i lidhim ato me buxhete të përshtatshme. Në kuadër të buxhetimit me pjesëmarrje, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë zërin e qytetarëve, sidomos grave dhe vajzave nga grupet më vulnerabël, proceset pjesëmarrëse dhe Buxheti për Qytetarët me ndjeshmëri gjinore janë vetëm disa nga nismat institucionale të Ministrisë së Financave, në mbështetje të kauzës së barazisë gjinore në Shqipëri.

A ka një analizë Ministria e Financave për nevojat e situatës së grave, burrave, vajzave dhe djemve dhe nevojat që kanë sipas rajoneve dhe moshave?

Sistemi buxhetor në Shqipëri, ai mbi bazë programi dhe performance, kërkon që të gjithë institucionet (Ekipet e Menaxhimit të Programeve Buxhetore), të cilat punojnë për realizimin e objektivave afatshkurtër dhe afatmesëm, të përcaktuar në programet buxhetore përkatëse, të kryejnë analiza të detajuara të politikave që duhet të adresojnë. Kjo metodologji, si dhe përfshirja si detyrim ligjor i mbledhjes dhe përdorimit të analizave të ndara sipas gjinisë (dhe disagregimeve të tjera mbi bazë moshe, statusi social, demografik, etj.), kanë bërë të mundur që Ekipet e Menaxhimit të Programeve Buxhetore të hartojnë buxhetet e tyre mbi bazën edhe të analizave gjinore.

Analiza gjinore dhe buxhetimi i përgjithshëm gjinor që ndihmohet prej saj, janë pjesë tërësore të analizës së politikave dhe ndërhyrjeve në nivel politikash strategjike dhe buxhetore.

Bazuar në informacionin e përfshirë në dokumentet e planifikimit të buxhetit afatmesëm, Ministria e Financave përgatit një përmbledhje të quajtur “Aneksi i buxhetimit të përgjithshëm gjinor”, i cili i bashkëngjitet dokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) në të gjitha fazat e tij. Ky aneks përditësohet sa herë ndodhin ndryshime në buxhet, apo zëra të veçantë të tij. Aneksi përmban informacion të detajuar mbi programet buxhetore, qëllimet/objektivat/treguesit gjinorë të performancës së planifikuar nga secili prej institucioneve të qeverisjes qendrore (ministri linje dhe institucione të tjera).

Metodologjia e buxhetimit dhe sistemit elektronik të planifikimit të buxhetit, AFMIS (Albanian Financial Management Information System), mundësojnë përllogaritjen e kostove të planifikuara për secilën prej politikave që përfshijnë elemente të tilla në dokumentet e PBA.

Në këtë mënyrë mund të shihet qartë se cila prej politikave synon të adresojë/avancojë barazinë gjinore dhe cilat ende nuk kanë përfshirë si duhet elementet e buxhetimit të përgjithshëm gjinor në brendësi të tyre.

Veç kësaj, relacioni i paketës së projektbuxhetit vjetor, i cili paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Parlament, përmban informacion mbi politikat gjinore që synon të adresojë Qeveria me anë të atij buxheti vjetor, si dhe bëhet një përshkrim i objektivave gjinorë që kërkohet të arrihen gjatë vitit në sektorë të ndryshëm.

Ky relacion mund të përdoret lehtësisht nga parlamentarët dhe komisionet parlamentare për të nisur diskutime/debate konstruktive që kanë të bëjnë me politikat gjinore të hartuara dhe të zbatuara nga Qeveria.

Çfarë politikash janë ndjekur në drejtim të masave fiskale për të lehtësuar barrën fiskale të grave, që jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe larg qendrave urbane?

Ndërhyrja në adresimin e pabarazive gjinore dhe/apo avancimin e barazisë gjinore ka nisur në nivelin qendror të qeverisjes, aty ku hartohen të gjitha politikat makroekonomike dhe kombëtare, për t’u transferuar më tej në nivelin vendor, ku hartimi i politikave dhe ndërhyrjeve është më i targetuar dhe kërkon të zgjidhë edhe më tej çështje specifike, si ato të grave që jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe larg qendrave urbane.

Në vijim të mbështetjes së vazhdueshme të ofruar nga UN Women në Shqipëri dhe në kuadër të programit të përbashkët me UNDP “Askush të mos të mbetet pas”, Ministria e Financave ka ofruar asistencë teknike për më shumë se 35 bashki në vend, ku janë trajnuar dhe ngritur profesionalisht, jo vetëm stafet e Bashkive, por edhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë.

Këta të fundit shihen si një nga hallkat më kryesore në avancimin e politikave gjinore në pushtetin vendor, jo vetëm për shkak të mandatit të tyre në diskutimin dhe miratimin e politikave dhe buxheteve lokale, por edhe sepse mundësojnë përcjelljen e nevojave dhe zërit të atyre grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, që ndihen të lënë pas. Disa nga ndërhyrjet më të suksesshme në këtë bashkëpunim, kanë qenë ato gjatë periudhës së vështirë të shkaktuar nga pandemia, ku numri i grave dhe vajzave, viktima të dhunës, u raportua në shtim.

Mbajtja hapur e qendrave të pritjes për këto gra dhe vajza, për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës, mundësuar nga buxhetet e bashkive: Elbasan, Durrës, Tiranë, Korçë, Lezhë, Pogradec, etj., ishte një sinjal i rëndësishëm i punës së mirë dhe angazhimit konkret të qeverive vendore në këtë kuadër. Në shumë nga bashkitë e asistuara janë promovuar politika të lehtësimit fiskal, që synojnë kryesisht ndihmën ndaj kryefamiljareve të vetme, sidomos nga grupet e margjinalizuara.

Mbetet ende për t’u bërë në këtë aspekt, si në nivelin qendror, edhe në atë vendor. Praktikat më të mira në botë të zbatimit të buxhetimit të përgjithshëm gjinor tregojnë se ndërhyrjet në pjesën e menaxhimit të politikave fiskale janë shumë më të pakta se ato të planifikimit dhe zbatimit të shpenzimeve publike. Kjo jo vetëm për shkak të vështirësive në kryerjen e analizave të detajuara gjinore, por edhe për shkak të studimeve të pakta të thelluara mbi ndikimet, që kanë politika të caktuara fiskale në jetën e grave dhe vajzave.

Ndërhyrjet

Ndërhyrja në adresimin e pabarazive gjinore dhe/apo avancimin e barazisë gjinore ka nisur në nivelin qendror të qeverisjes, aty ku hartohen të gjitha politikat makroekonomike dhe kombëtare, për t’u transferuar më tej në nivelin vendor, ku hartimi i politikave dhe ndërhyrjeve është më i targetuar dhe kërkon të zgjidhë edhe më tej çështje specifike, si ato të grave që jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe larg qendrave urbane.

Në anën tjetër, në rishpërndarjen e buxhetit, a zbatohen masa për përfitime shtesë ndaj grave që jetojnë në kufijtë e varfërisë?

Politikat e mbështetjes sociale janë veçanërisht të ndjeshme ndaj nevojave të grave dhe vajzave në nevojë, si dhe mundësojnë adresimin e drejtpërdrejtë të disa prej tyre. Një shembull i mirë i përpjekjeve më të fundit për njohjen e punës së papaguar të grave dhe vajzave në familje, duke mundësuar përfitime monetare për disa grupe të rëndësishme shoqërore, është buxheti i kujdesit social, i cili parashikon:

 Mbështetjen e qëndrueshme të mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë;

 Dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për të moshuarit mbi 65 vjeç pa pension pleqërie apo pension social, shumica e të cilëve janë gra nga zonat rurale;

 Mbështetjen e programit të pagesave për mbi 164 mijë gra/vajza dhe burra/djem me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre (shumica e tyre janë nënat/motrat/gratë etj., të këtyre personave).

 Për herë të parë jepet mbështetje e veçantë për gratë e papuna me 3 e më shumë fëmijë deri në 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur ato me pagesën e kontributeve sociale dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit për fëmijën deri në 5 vjeç.

 Vazhdimin e financimit të Programit Bonusi i Bebeve për çdo të porsalindur, duke garantuar shpërblimin financiar për mbi 35 mijë fëmijë/vit.

Cili është zëri buxhetor më efektiv që ndihmon në uljen e hendekut të pabarazisë gjinore?

Shpenzimet buxhetore të alokuara në politika publike të fushës së shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe arsimit kanë rezultuar, deri tani, zërat më eficientë në adresimin e hendeqeve gjinore.

Në vitin 2024, nga totali i fondit buxhetor prej rreth 74.4 miliardë lekësh që adreson politika me bazë gjinore, 38% e tij shkon për të mbështetur politika gjinore në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe 28% e tij për të mbështetur politika gjinore në fushën e arsimit. Ndër politikat kryesore që vlen të përmenden në këta sektorë janë:

– Arsimimi i vajzave, sidomos atyre nga zonat rurale, vijon të mbetet përparësi e politikave të arsimit. Do të vijojnë të ndihmohen me libra falas vajzat dhe djemtë nga grupet në nevojë – rreth 252 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë, si dhe 16 mijë në arsimin e mesëm të lartë;

– Në sektorin e mbrojtjes sociale dhe punësimit, vëmendje të veçantë marrin politikat e financimit të pagesave për gratë nga grupet në nevojë, të të gjitha grupmoshave, duke filluar nga gratë e moshuara, nënat e më shumë se tre fëmijëve, gratë kryefamiljare të vetme, etj., me qëllim zbutjen e efekteve ekonomike dhe sociale të rritjes së inflacionit, si dhe ndryshimeve në tregun e mallrave. Riintegrimi i grave dhe burrave në tregun e punës, duke krijuar akses dhe lehtësi për të përfituar nga programet e punësimit, arsimi profesional, si dhe krijimi i kushteve për nxjerrjen e këtyre individëve nga skema e pagesës së papunësisë.

– Në sektorin e shëndetësisë, vlen të përmendet mbështetja e vijueshme e nënave të reja me shërbime të shëndetit parësor dhe dytësor, për veten dhe për bebet që do të vijnë në jetë. Investimet në maternitete, si dhe mbulimi i kostove për trajtimin e nënave dhe bebeve në këto institucione, synojnë përmirësimin e kushteve të ofrimit të shërbimeve, si dhe rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj shërbimeve shëndetësore publike. Vijojnë politikat mbështetëse në drejtim të parandalimit të sëmundjeve, duke mbështetur veçanërisht gratë dhe vajzat që përfitojnë nga shërbimet e depistimit të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës.

Megjithëse analiza gjinore nuk është një kërkesë e detyrueshme për institucionet publike, përdorimi i saj është i dukshëm dhe përfitues për të ushqyer politika të reja në sektorë të ndryshëm.

Të dhënat e siguruara nga studime të pavarura, analiza e situatës dhe kërkesat që rrjedhin nga strategjia e barazisë gjinore, publikimet statistikore si “Gratë dhe burrat në Shqipëri”, raporti i CEDAW, rekomandimet e BE-së etj., janë vetëm disa nga burimet e informacionit të përdorura në analizat e rëndësishme gjinore nga institucionet qeveritare.

Pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 na treguan rëndësinë e ndërhyrjeve të strukturuara dhe të menduara mirë edhe në kohë krize, ku urgjencat kërkojnë qasje të menjëhershme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

A keni kalkulime se sa është ndikuar pozita ekonomike e grave nga politikat buxhetore?

Ende nuk ka përllogaritje të tilla, por rritja vit pas viti i numrit të programeve buxhetore, pra politikave dhe buxheteve që mundësojnë zbatimin e tyre, vlerësohet si hap pozitiv në këtë drejtim.

 

A keni plane afatgjata për buxhetimin gjinor me rezultate të pritshme?

Planet afatgjata janë edhe pjesë e strategjisë së re të menaxhimit të financave publike, që pritet të miratohet së shpejti.

Veç përfshirjes së të gjitha politikave dhe buxheteve në listën e atyre me ndjeshmëri gjinore, hapi i radhës është kryerja e analizave të thelluara që lejojnë identifikimin e hendeqeve që ndikojnë drejtpërsëdrejti, apo edhe në mënyrë të tërthortë, në arritjen e barazive gjinore, apo thellimin e pabarazive.

A ka një model të suksesshëm që vendi ynë synon të zbatojë në buxhetimin gjinor?

Shqipëria është një nga vendet që ka marrë vlerësime edhe nga partnerët ndërkombëtarë në zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Modele të ndryshme suksesi vijnë nga vende si Austria, Suedia, Islanda, Maroku, Kanadaja, etj., dhe secili prej këtyre modeleve bazohet në kontekstualizimin e metodologjive të zbatimit të BPGJ të njohura botërisht, në realitetet e vendeve përkatëse.

Thënë kjo, modeli ynë bazohet në historitë dhe përvojat e gjithë këtyre vendeve që kanë nisur shumë më parë se ne, përpjekjet e tyre për avancimin e barazisë gjinore nëpërmjet buxhetimit të përgjithshëm gjinor, të cilat janë raste suksesi jo vetëm të shoqërive të emancipuara, por edhe të ekonomive më të forta./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: