TIRANË- Ministria e Financave përjashton naftën e anijeve të peshkimi nga taksat. Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të sasive, të kushteve dhe kritereve të përjashtimit të anijeve të peshkimit nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit”, Ministria e Financave ka hartuar dhe firmosur, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, një udhëzim që përcakton procedurat e përjashtimit nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza karburantin (gazoil) për furnizimin e anijeve shqiptare të peshkimit.

Sipas udhëzimit në fjalë, furnizohen me karburant (gazoil) për peshkim, pa paguar (me përjashtim) taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, por duke paguar TVSH, subjektet e peshkimit (personat juridikë dhe fizikë) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, të cilët kanë marrë statusin e pritësit të regjistruar dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 20 të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për dispozitat zbatuese të ligjit 61/2012 ”Për akcizat”, të ndryshuar”.

Udhëzimi i dy ministrive saktëson se karburanti (gazoili) për peshkim duhet të jetë i ngjyrosur dhe se përqendrimi i ngjyrosjes gjatë gjithë kohës së tregtimit/përdorimit të karburantit (gazoil) të ngjyrosur duhet të jetë i njëjtë me përqendrimin në çastin e ngjyrosjes.

Në udhëzim thuhet, gjithashtu, se “Subjektet e peshkimit mund të furnizohen brenda vendit me karburant (gazoil) me destinacion përdorimi në anijet e peshkimit, vetëm pranë operatorëve ekonomikë (shoqëritë furnizuese), të cilat administrojnë magazina të lira, magazina doganore ose magazina fiskale dhe që janë të autorizuara nga autoritetet doganore për të kryer ngjyrosje”.

Sipas MF-së, subjektet e peshkimit mund të furnizohen edhe jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, me kusht që karburanti (gazoili) të jetë i ngjyrosur, sipas përcaktimeve të këtij udhëzimi.

Udhëzimi i mësipërm përcakton edhe të gjitha procedurat dhe kriteret e tjera që duhet të plotësojnë subjektet e përcaktuara ligjërisht për përfitimin e këtij përjashtimi.

Me këtë udhëzim respektohen të gjitha detyrimet që përcakton ligji përkatës dhe vendimi i qeverisë në zbatim të tij si dhe u krijohen lehtësi subjekteve të përfshira.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb