TIRANË- Ministria e Integrimit Europian organizoi sot takimin konsultues me Shoqërinë Civile mbi Raportin e vitit 2016 të Komisionit Europian për Shqipërinë. Zëvendësministrja e Integrimit Europian, Eralda Çani, e cila drejtoi edhe takimin theksoi se pavarësisht progresit të bërë dhe rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave, ka ende shumë sfida të mëdha përpara.

Ajo bëri një prezantim të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit mbi 5 prioritetet.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Integrimit Europian dhe përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile.

Zëvendësministrja Çani theksoi në fjalën e saj rëndësinë e përfshirjes edhe më të madhe të Shoqërisë Civile në procesin e integrimit.

Në takim u ngritën pyetje, u bënë komente dhe u mbajtën diskutime nga përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me tematika të ndryshme sipas fushës së tyre të ekspertizës në lidhje me Raportin e KE-së për Shqipërinë.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, u shprehën se informimi për procesin e integrimit në rrethe është ende i domosdoshëm për qytetarët.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, qeveria duhet të jetë më favorizuese ndaj tyre dhe të organizohen më shumë trajnime dhe informime në kuadër të aplikimeve për fondet e BE-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb