TIRANE– Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve kanë reaguar lidhur mbi një lajm të publikuar nga disa prej mediave në vend, të cilat pretendonin se disa ikona me vlera kulturore janë transportuar në kushte të papërshtatshme nga Galeria Kombëtare e Arteve.
Ministria e Kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve, dhe gjithashtu edhe portali zyrtar “transparenca.al”, njofton dhe sqaron mbi pretendimin e mediave lidhur mbi transportin e ikonave nga Galeria Kombëtare e Arteve.
Deklarata e plotë:
Në tetor 2013, një sasi e konsiderueshme ikonash të sekuestruara nga Policia e Shtetit në cilësinë e provës materiale u vendosën përkohësisht në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA).
Këto prova janë ruajtur nga Policia e Shtetit në mjediset e GKA-së. Gjatë kësaj periudhe, Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka inventarizuar ikonat duke i pajisur me pasaportën përkatëse të vlerave kulturore, por në asnjë moment ato nuk kanë kaluar në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Duke pasur parasysh se këto objekte ishin të patrajtuara në momentin e sekuestrimit, qëndrimi i tyre i tejzgjatur në GKA rrezikonte ruajtjen e tyre dhe infektimin e veprave të GKA-së.
Pas dy vitesh kërkesash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve për të bërë të mundur kalimin e ikonave në një ambient më të përshtatshëm për trajtimin dhe ruajtjen e tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 31.07.2015 ka mundësuar lejimin e kalimit të provave të sekuestruara nga ambientet e GKA-së te Muzeu Historik Kombëtar.
Pasi verifikoi dhe përshtati ambientet pranë MHK-së ku do të mund të disinfektoheshin, restauroheshin dhe ruheshin objektet pasuri kulturore deri në përfundim të procesit penal, Ministria e Kulturës urdhëroi institucionet e saj të varësisë për koordinimin dhe marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e urdhrit të prokurorit.
Në kushtet kur veprat e trashëgimisë kulturore janë prova materiale të sekuestruara, MK nuk mund të organizojë procedurat e transportit të tyre deri në ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë.
Vetëm me datë 11.11.2015 GKA u njoftua nga Prokurori i çështjes për kryerjen e transportit të veprave të trashëgimisë kulturore më datat 12 dhe 13 nëntor 2015.
Në kushtet e kohës tejet të shkurtër, kur ekspertët e trashëgimisë i gjykuan të pamjaftueshme mjetet dhe mënyrat për këtë transport, është urdhëruar pezullimi i lëvizjes së tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim konform procedurave përkatëse.
Për sa i përket objekteve tashmë të transportuara në MHK, njoftojmë se këto ikona janë sistemuar sipas procedurave nga punonjës të specializuar të fushës në pritje të trajtimit të tyre.
(el.sp/BalkanWeb)