* Artistët e TKOB peticion kryeministrit: Mos prano dorëheqjen e Ilir Kernit

TIRANE– Ministria e Kulturës ka reaguar sot për herë të parë pas dorëheqjes së drejtorit të TKOBAP, Ilir Kerni. Përmes reagimit zyrtar, ku vlerëson kontributin e drejtorit të dorëhequr, MK thekson për të gjithë artistët se “Në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit dhe trupat do të vijojnë të PLOTA dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik në skenat e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë”.

“Drejtori i përgjithshëm i TKOBAP, Z. Ilir Kerni, paraqiti të premten kërkesën për dorëheqje nga detyra. Ministria e Kulturës konsideron se dorëheqja është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet. Historia e një Teatri ndërtohet nga brezat e artistëve që performojnë në të dhe nga gjurmët që lënë drejtuesit e tyre, në ‘murin’ e Teatrit, përfshi edhe kontributin e rëndësishëm tre-vjeçar të Z. Ilir Kerni.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, në vijim të reformës së kryer në institucionet skenike kombëtare; falë punës së jashtëzakonshme të trupave; jo vetëm të traditës, por edhe të prurjeve të reja shumë të fuqishme në këto vite, i ka sjellë skenës shqiptare ngjarje të mëdha kulturore, ka hapur dyert për artistët shqiptarë të suksesshëm në botë; ka disafishuar numrin e shfaqjeve dhe ka nderuar Shqipërinë në skenat ndërkombëtare. Tashmë TKOBAP përgatitet për një sfidë të re në menaxhim.

Pas një viti pune intensive projekti i rikonstruksionit u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit, ndërsa trupat do të vijojnë të PLOTA dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik në skenat e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Kjo do të jetë sfida e re për artistët dhe drejtuesin e ri të TKOBAP, që do të dalë nga procesi përzgjedhës që parashikohet nga ligji për artin dhe kulturën”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

ARTISTËT E TKOB PETICION KRYEMINISTRIT: MOS PRANO DORËHEQJEN E ILIR KERNIT
Edhe pse shumica e artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ishin nisur tashme për pushime, pas një sezoni artistik të ngarkuar, ata janë kthyer sot sërish në ambientet e TKOBAP për të shprehur mbështetjen ndaj drejtorit të këtij institucioni, Ilir Kerni, pas lajmit se ai ka paraqitur dorëheqjen nga ky pozicion.

Artistët kanë firmosur sot një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama për të mos pranuar dorëheqjen e drejtorit të tyre, të cilin e kanë cilësuar si një njeri të pastër, me parime dhe që “ka arritur të mbajë larg prej TKOBAP deri tani pandershmërinë, mediokritetin, nepotizmin dhe klientelizmat”.

Duke kërkuar rikthimin e tij sërish në detyrë, artistet e kanë vlerësuar për kontributin e vyer dhe për shembullin e pakrahasueshëm motivues.

“Janë gati 80% e artistëve që e kanë firmosur këtë peticion, duke patur parasysh që një pjesë e mirë e tyre nuk ka mundur vetëm për arsye të mos ndodhjes fizike në Tiranë, por në mungese kanë kërkuar të jenë pjesë e këtij peticioni me anë të telefonatave dhe mesazheve të shumta”, thuhet në njoftim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: