TIRANE-Në kuadër të festimeve për 70-vjetorin e çlirimit të atdheut, Ministria e Mbrojtjes organizoi sot një ceremoni për ndarjen e medaljeve për personalitete që kanë kontribuar si pjesmarrës në luftën për çlirimin e atdheut.
Janë 1000 “Medalje mirënjohjeje” dhe 20 “Medalje Nderi” për shërbime të shquara dhe në shërbim të atdheut (10 Ministria e Mbrojtjes dhe 10 Ministria e Brendshme), kanë shpërndarë sot në vigjilje të këtij jubileu.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv.kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo etj.
Në fjalën e tij, zv.kryeministri Niko Peleshi, ndër të tjera u shpreh se “Çdonjëra prej medaljeve që japim sot ka mbas saj një histori që na bën të ndihemi krenarë. Janë histori individësh, burrash dhe grash që patën guximin dhe përgjegjëshmërinë të ngrihen në lartësinë e sfidave të detyrës së tyre. Veteranët, ata që lanë gjurmët e tryre në historinë e vendit tonë, ata që u përballën me armikun në një luftë të pabarabartë e bën këtë me dinjitet dhe heroizëm, sepse luftuan për lirinë e vendit, për lirinë e Shqipërisë”. Më tej, Peleshi tha se, ju sot nderoheni me medaljen e meritës, sigurisht që është një shprehje e mirënjohjes për përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrës. Ju keni bërë për këtë vend atë që jo gjithkush do të ishte në gjendje ta bënte. Ne jemi me fat që kemi mes nesh njerëz si ju, ka përfunduar fjalën e tij zv.kryeministri Peleshi.
Më pas ai i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes”, akorduar nga ministri i Mbrojtjes, historianit të njohur Arben Puto me motivacionin “Për kontributin e dhënë si pjesmarrës në luftën për mbrojtjen e vendit”.
Në vijim, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i ka akorduar “Medaljen e Nderit” ushtarit profesionist, Petrit Bruçi, i cili ka rënë në krye të detyrës me motivacionin “Për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur, duke rrezikuar dhe jetën dhe për merita të shquara në ushtrimin me përgjegjësi të detyrave”. Ministrja Kodheli ia dorëzoi medaljen djalit të ushtarit profesionit, Petrit Bruçi, i cili u shpreh se “kam qenë, jam dhe do të jemë krenar për babain tim”.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i dha “Medaljen e Mirënjohjes”, akorduar nga ministri i Mbrojtjes, veteranit Kiço Negovani. Gjeneralmajor Jeronim Bazo i dha “Medaljen e nderit”, akorduar nga ministri i Mbrojtjes, kapiten Enkelejda Tyrku. Zv.ministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj i ka dorëzuar ”Medaljen e Nderit”, akorduar nga ministri i Punëve të Brendshme, komisar Kujtim Osmënaj, pilot në Sektorin Special të Helikopterëve, ndërsa zv.drejtori i Përgjithshëm i Policicsë së Shtetit, Haki Çako, i dorëzoi ”Medaljen e Nderit” nënkomisar Fatmir Kënga me detyrë specialist mjek, shoqërues i FS në Seksionin e Shërbimeve Operacionale. Në fund ceremonia u mbyll me një koncert të shkurtër me këngë patriotike nga Kori i Burrave të Teatrit të Operas dhe Baletit.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb