Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Video Rees “Wanderlust in Albania” rikthehet për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë dhe vjen si një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike. Bie në sy pjesëmarrja nga vende të largëta dhe interesante, si: Mauritius, Kolumbia, Uruguaj, Indonezia dhe të tjera.
Pjesëmarrësit në konkurs kanë ngarkuar 5504 materiale në ëebsite zyrtar të konkursit www.wanderlustinalbania.al
Kategoritë e Konkursit, janë:
• Peisazhe (natyrore, malore, bregdetare)
• Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistike)
• Monumente & Site arkeologjike (Monumente kulture, Kala, Amfiteatër, Muze dhe site UNESCO)
• Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë)
• Artizanati & Zejtaria
• Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm)
• Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj)
• Ekoturizmi & Turizmi sportiv (flora & fauna, shtigje, parqe, hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm etj)
• Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane)
• Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta)
• Animacion 3D (CGI)

Risi e këtij edicioni të Konkursit “Wanderlust in Albania” është kategoria CGI (ComputerGenerated Imagery), duke integruar artin dixhital dhe animacionin në promovimin e turizmit shqiptar. Kjo është një mundësi e përkryer për artistët dhe krijuesit të përdorin teknologjinë dhe kreativitetin për të krijuar imazhe dhe animacione që mund të nxjerrin në pah bukuritë e Shqipërisë për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.
Kategoria CGI ofron mundësi pafund për të krijuar vizuale me peisazhe natyrore, monumente historike, apo edhe pjesë të kulturës dhe traditave shqiptare, duke i dhënë një dimension modern dhe tërheqës.
Juria e konkursit përbëhet nga pesë profesionistë, shqiptar dhe të huaj. Kryetar i jurisë është Albes Fusha, i cili aktualisht mban postin e drejtuesit të Departamentit të Fotografisë në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku kontribuon në formimin e brezave të rinj të fotografëve shqiptarë.
Fituesit do shpallen, nderohen dhe shpërblehen për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e Shqipërisë turtistike me plot 40 cmime speciale.
Fituesit do të shpërblehen me çmime dhe tituj të rëndësishëm:
• 33 fitues për 11 kategori do të shpallen “Kontribues të Promovimit të Turizmit të Shqipërisë”;
• 4 fitues do të nderohen me titullin “Ambasadorë të Turizmit Shqiptar”;
• Po ashtu, nga votimi online i publikut do të përzgjidhen 3 fitues.
Nga totali i materialeve të paraqitura në konkurs, 800 fotografi dhe 100 video reels të përzgjedhura do t’i shtohen fondit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe do të përdoren në materialet promocionale të Shqipërisë turistike duke përfshirë revista, albume, fletë informuese, broshura si dhe spote publicitare.
(BalkanWeb)