PEQIN- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka zhvilluar paraditen e sotme një inspektim në burgun e Peqinit, ku ka takuar të dënuar dhe familjarë të tyre. Gjatë kësaj vizite, drejtuesit e burgut e kanë çuar ministren Gjonaj edhe tek qelia e Aldo Bares, e cila me sa duket ka edhe kushte më të mira se dhomat e tjera.

Por pas këtij veprimi, ka reaguar ministrja e cila i ka pyetur drejtuesit se “përse e çuan në qelinë e tij”.

Më tej, ministrja është njohur me problematikat me të cilat përballen të dënuarit që vuajnë dënimin në Peqin, dhe u ka premtuar se do të bëhet gjithçka për zgjidhjen e tyre.

Sakaq, ministtja Gjonaj theksuar se reforma në sistem do të luftojë korrupsionin në burgje, ministrja Gjonaj tha se do të vijohet deri në pastrimin e të “gjithë metastazave të këtij fenomeni” në burgje.

“Nuk kam asnjë lloj tolerance me akte korruptive, përcillini stafeve dhe do të procedohen penalisht. Vetëm për periudhën janar-shkurt janë proceduar 20 punonjës. Rastet e korrupsionit në sistemin e burgjeve kanë qenë të jashtëzakonshme. Nuk kemi probleme me Drejtorinë e Burgut. Çdo muaj do bëjmë inspektime me institucionet dhe përcjellim mesazhe. Reforma në burgje është një prioritet i ministrisë së Drejtësisë. Reforma legjislative që ka të bëjë me ndryshimin e legjislacionit. Përmirësimi i statusit të policisë së burgjeve. T’u japim status punonjësve të policisë së burgjeve si në aspektin financiar ashtu edhe në plotësimin e kushteve e mjeteve të nevojshme.

Prioritete të ndryshojmë fytyrën e sistemit të burgjeve, me sistemet e sigurisë nuk ka tolerime. Çdo lloj mjeti i paligjshëm që kapet, ka nga prapa një punonjës burgu. Po forcohet siguria në burgje. Ka pasur raste të korrupsionit në burgje, favorizime duke filluar që nga polici deri tek drejtuesit”, tha Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë paralajmëroi ndryshime edhe sa i takon rekrutimit të punonjësve, ndërsa ftoi ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e policisë.

“Nuk do të ketë më punonjës të emëruar nga drejtori apo ministri por nëpërmjet akademisë së sigurisë. Me qëllim që jo vetëm të jenë të pa ndikuar politikisht por të aftë profesionalisht. Po nxisim ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e policisë për t’u rekrutuar si punonjës pranë Burgjeve”. IEDP të Peqinit është nga më të rëndësishmit e vendit tonë dhe Gjonaj gjatë inspektimit komunikoi edhe me të dënuar me burg përjetë si dhe me kategori të tjera të dënuarish për t’u njohur prej tyre jo vetëm me kushtet ku ata vuajnë dënimin por edhe me respektimin e të drejtave që ju garantin ligji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb