Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ndodhet në Damask, Siri të premten për bisedime me qeverinë e re të vendit të formuar nga rebelët.
“Kapitulli i dhimbshëm i sundimit të Asadit ka përfunduar. Një kapitull i ri ka filluar, por ende i pashkruar. Sepse në këtë moment sirianët kanë mundësinë të marrin sërish në duart e tyre fatin e shtetit të tyre”, tha Baerbock në një postim në platformën e mediave sociale X.
Sipas Baerbock marrëdhëniet e qeverisë së re siriane me Gjermaninë dhe BE-në, janë të kushtëzuara që gratë dhe burrat e të gjitha besimeve etnike dhe fetare të luajnë një rol në sistemin e ri politik të Sirisë dhe se ato janë të mbrojtura.
Pas mbërritjes në Damask, Barrot shprehu shpresën për një Siri “sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore”.
Vizita vjen pasi grupet rebele në Siri, të udhëhequra nga islamisti Hayat Tahrir al-Sham (HTS), fituan me shpejtësi kontrollin mbi vendin, me ish-presidentin Bashar Assad që u arratis në Rusi. Udhëheqësi i HTS, Ahmad al-Sharaa, konsiderohet tani kreu i qeverisë tranzitore të Sirisë.
Në ditët pas rrëzimit të Asadit, qeveritë perëndimore po shqyrtonin mënyrën më të mirë për t’u angazhuar me udhëheqjen e re të Sirisë, duke pasur parasysh që HTS ishte nën sanksionet e BE-së dhe gjithashtu një grup i caktuar terrorist.
“Ne e dimë se nga vjen HTS ideologjikisht, çfarë ka bërë në të kaluarën. Por ne dëgjojmë dhe shohim gjithashtu dëshirën për moderim dhe mirëkuptim me aktorë të tjerë të rëndësishëm,” tha Baerbock në një deklaratë./DW