Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.
Ministrja nënvizoi nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas një komunikate të MPJD-së, Gërvalla theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.
Ajo po ashtu theksoi se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin. Në këtë drejtim, Gërvalla tha se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij.
(BalkanWeb)