Nga: Nertil Jole
Katër vite më parë, jam takuar për herë të parë me zonjën Eglantina Gjermeni, kur ajo sapo kishte marrë detyrën e ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ishte koha kur ende nuk kish marrë formë institucioni i Ministrisë së Zhvilimit Urban, në atë periudhë i bashkuar edhe me sektorin Turizmit. Kujtoj ditët dhe javët e para të angazhimit tim si pjesë e ekipit të sapoformuar, kur së bashku me një numër të vogël kolegësh, në drejtimin dhe me vizionin e saj, punuam me pasion e orë të zgjatura për të ngritur dhe vënë në funksionim një institucion të ri shumë të rëndësishëm.

eglantina 1

Krijimi i Ministrisë së Zhvillimit Urban ishte hapi fillestar për plotësimin e një prej prioriteteve kryesore në programin e qeverisë; hartimi i politikave dhe disiplinimi i zhvillimeve kaotike në territor të trashëguara prej mëse dy dekadash, me synimin për të ndërtuar një qasje e filozofi të re që do të planifikonte të tashmen e të ardhmen e zhvillimeve në territor, duke garantuar që ky zhvillim të jetë i qëndrueshëm e afatgjatë.

Sot, pas katër vitesh, është evidente që marrëdhënia e shtetit dhe individit me territorin ka ndryshuar katërcipërisht. Gjurmët e transformimit urban në të gjitha bashkitë e vendit të njohura si programi i “Rilindjes Urbane” janë realitet i prekshëm dhe i pamohueshëm. Është ende herët, por koha do dëshmojë se reformat historike të ndërmara në fushën e zhvillimit urban në këto 4 vite me iniciativen dhe nën drejtimin e ministres Eglantina Gjermeni, me politikat e hartuara në nivel kombëtar, asistenca e ofruar në nivelin vendor, projektet e zbatuara e ato në zbatim, do të sjellin përfitime të shumëpritura ekonomike dhe sociale për qytetarët.
eglantina 3
Pas shpalljes se qeverisë së re ndiej detyrim njerëzor të sinqertë, për të shkruar disa fjalë, lidhur me këtë përvojë e rrugëtim shumë të vlefshëm profesional, i cili padyshim nuk do mund të ishte i tillë pa bashkëpunimin dhe kontributin e shumë kolegëve të tjerë, që njësoj si dhe unë kanë punuar me shumë përkushtim për të realizuar objektivat e vendosura. Personalisht, ndihem me fat që kam punuar për 4 vite pranë një zonje fisnike si ministrja Gjermeni.
eglantina 2
Këto pak rreshta janë një mënyrë modeste për të dedikuar disa fjalë, jo kortezie, në shenjë falenderimi, në përmbyllje të angazhimit të saj në këtë detyrë. Dua të shpreh publikisht vlerësimin më të lartë që kam për shembullin dhe modelin e ministres Gjermeni, jo vetëm sepse në çdo rast kam patur mbështetjen e pakursyer dhe besimin e saj, por më e rëndësishmja për marrëdhënien njerëzore shumë të pazakontë që ajo ndërtoi me të gjithë ne, bashkëpunëtorët e saj. Ndikimi i saj pozitiv te stafi i Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të mbetet padyshim një motiv më shumë për të vijuar me përkushtim dhe pasion punët e proceset e nisura.

Angazhimi i mëtejshëm si deputete i zonjës Gjermeni, i bën nder Parlamentit të Shqipërisë, jo thjesht e vetëm se ajo ka cilësitë e shkëlqyera dhe aftësitë për të shërbyer si përfaqësuese e qytetarëve, por edhe sepse bart vlerat më të spikatura të gruas në politikë. Me punën e saj pa bujë e me modesti, dha shembullin e rrallë sesi politika mund të urtësohet e vihet në shërbim të njerëzve, me rezultate dhe jo vetëm me fjalë.

Dua të ndaj disa foto nga momentet e punës me ministren dhe kolegë bashkudhëtare të këtij rrugëtimi. Foto e parë ka fiksuar momente nga pjesëmarrja në “Habitat III” mbajtur në Quito të Ekuadorit, si pjesë e delegacionit zyrtar ku pata fatin të shoqëroj ministren Gjermeni për të përfaqësuar Shqipërinë. Ky aktivitet në nivel botëror në fushën e zhvillimit urban organizohet një herë në 20 vjet, ku edhe Shqipëria, falë rezultateve të arritura, nënshkroi Axhendën e Re Urbane 2030, si angazhim për të mos ndërprerë përpjekjet në drejtim të përmirësimit cilësor të jetës urbane e rurale. Në fund të këtyre, dua t’i uroj edhe publikisht zonjës Gjermeni, gjithçka të mirë në jetën familjare dhe sukses në të gjitha angazhimet e saj shoqërore e politike!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb