Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 foli për dekretin e Presidentit Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore.

“Situata politike ku ndodhemi është e paprecedentë, vetë djegia e mandateve përbën një precedent të padëgjuar më parë, ndërsa tani këtij precedenti iu shtua edhe një tjetër që nuk e përmirësoi situatën: Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve. Në konsideratat e mia dekreti i tij është akt absolutisht i pavlefshëm juridikisht”,- tha ministrja.

Gjonaj shpjegoi juridikisht, arsyet se pse ky akt i Presidentit Meta është i pavlefshëm juridikisht.

“E para-Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta çdekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj. të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta çdekretojë këtë akt me një akt të dytë. E dyta-Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese. E treta- Akti i tij është antikushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit. E katërta- Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht. Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta të thotë një akt tjetër. E pesta- Po ashtu me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur”,- sqaroi Gjonaj.

Ministrja tha ndër të tjera që Kreut të Shtetit jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera i takon të jetë institucional dhe jo politik. “Ai është organi më i lartë që qëndron mbi palët”,- shtoi ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb