TIRANË

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar sot një mbledhje me dyer të mbyllura me disa punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgjet e vendit tonë.


Mësohet se çështjet kryesore të ngritura nga ministrja Gjonaj ishin ato të sigurisë në sistemin e burgje dhe në kryerjen e veprimtarisë nga ana e SHKBB-së për parandalimin dhe monitorimin e veprimtarisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.


Mbledhja gjithashtu ka pasur të bëjë dhe me regjimin e posaçëm dhe masat që duhet të marren nga punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, për zbatimin e tij.


Kjo mbledhje vjen në kuadër të masave të shtuara te sigurisë së burgjeve por edhe të ngjarjeve të fundit ku janë kapur nga forcat e Policisë së Burgjeve dhe SHKBB-ja, një sërë sendesh të ndaluara.

Nuk kanë munguar rastet kur të burgosurit kanë arritur të fusin telefona celularë  dhe lëndë narkotike në ambientet ku vuajnë dënimet.

Ditën e djeshme në ambientet e burgut të Peqinit u gjetën katër aparate celulari të fshehura në pajisjet elektro-shtëpiake, ndërsa në Korçë një i burgosur, i cili sapo ishte kthyer nga leja shpërblyese , kishte arritur të fuste 22 doza droge në burg. Ai i kishte gëlltitur këto doza dhe zbulimi u bë pas kontrolleve të kryera në ekografi.

(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: