KORCE– Në kuadër të bashkëqeverisjes me qytetarët, ministrja e Drejtësisë gjatë vizitës në qarkun e Korcës zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me banorët e zonës rreth problematikave që lidhen me sektorin e drejtësisë.


Në takimin që vjen si pjesë e nismës së qeverisë për të zbritur në terren dhe për të biseduar në mënyrë direkte me qytetarët, Ministrja Gjonaj parashtroi përpara tyre prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të reformës së drejtësisë, reformës në profesionet e lira, në sistemin penitenciar si dhe reforma në trajtimin e pronës përmes riorganizimit të ZVRPP, ALUIZNI, ATP.


“Janë pikërisht këto reforma të cilat do ta bëjnë më të aksesueshëm shërbimin që ofrojmë për qytetarët”, nënvizoi Ministrja Gjonaj, ndërsa i ftoi këta të fundit që ankesat e tyre t’i adresojnë pranë platformës së bashkëqeverisjes.


Duke u ndalur në reformën e Drejtësisë, ,inistrja Gjonaj u shpreh se sot po vuajmë pengesat për shkak të periudhës së zgjatur trazitore.

Ministrja tha se do të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë me gjyqtarë dhe prokurorë të vettuar, të cilat do të krijojnë një sistem drejtësie të drejtë e të pavarur.

“Duke qenë se organet e Vettingut kanë filluar punën, pritet që në peirudhën janar-shkurt të 2018 të kemi vendimet e para lidhur me pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Gjonaj.

Ministrja theksoi rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare në këtë proces, për ti treguar Bashkimit Evropian dhe qytetarëve shqiptarë qëllimin serioz për forcimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës.

(BalkanWeb)