Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se ndaj ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka kanë ardhur në PD disa denoncime.
Vokshi u shpreh se Xhaçka ka udhëtuar kaq shpesh me helikopterin e FA nga Tirana në Dibër, sa ka harxhuar 100 mijë euro nga buxheti i shtetit.
“Pranë PD-së kanë ardhur një sërë denoncimesh, se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka keqpërdoron helikopterin e Forcave të Armatosura. Ajo ka udhëtuar disa herë drejt Dibrës, duke qenë e deleguar në këtë qark. Ka 2 javë që kemi denoncuar rastin. Kemi treguar edhe video, ku ka data kur Xhaçka ka shkuar në Dibër në takime elektorale të PS.
Për helikopterin ka rregulla strikte. Janë bërë 22 udhëtime kohët e fundit nga Xhaçka, të gjitha për arsye elektorale. Ne kemi treguar të gjitha detajet, datat, orët, nisja dhe mbërritja. Një udhëtim me helikopter shkon deri 10 mijë euro dhe i bie të jetë keqpërdorim të fondeve publike”, tha Vokshi.
Albana Vokshi theksoi se për këto akuza, në një vend normal demokratik, ministrja duhet të jepte dorëheqjen. Ajo shtoi se Xhaçka duhet t’i hapte rrugën drejtësisë për këtë çështje, pasi ka përdorur helikopterin e FA sikur është taksi.
“Ne i kemi kërkuar Prokurorisë që të hetojë. Ministrja nuk ka dhënë sqarime, madje ka përdorur palë të tretë, duke mos sqaruar opinionin publik për denoncimet publike. Ministrja Xhaçka duhet të dorëhiqej, për këtë akuza. PD ka përgatitur edhe kallëzim penal për ministren dhe drejtues të Forcave të Armatosura. Prokuroria deri tani nuk ka lëvizur dhe nuk ka reaguar as kryeministri Edi Rama. Xhaçka për këtë abuzim rrezikon vite burg. Xhaçka e përdor si taksi personal”, u shpreh Vokshi.
Më tej, Vokshi tha se PD ka gati kallëzimin penal për minsitren Xhaçka, ku jepen me detaje edhe udhëtimet që ka bërë ministrja e Mbrojtjes.
“As kryeministri nuk ka reaguar, as ministrat. Kjo sepse, kryeministri dhe njerëzit e tij zgjedhin qetësinë. Ministrja është nisur bashkë me stafin. Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë, madje tashmë duhet të sekuestronte të gjitha dokumentet, për të verifikuar uljet, ngritjet, kush ka qenë në bord, a lejohen këta persona të udhëtojnë në bord etj.
Kemi bërë gati kallëzimin penal për SPAK, janë disa vepra penale për të cilat kemi kallëzuar ministren Xhaçka. Shqipëria është në krizë të thellë, kurse Xhaçka abuzon në këtë mënyrë. Këta para mund të shkonin për tamponime, teksa tamponi në privat shkon në 100 euro. Një shoqja ime kishte 5 anëtarë familje me koronavirus dhe i bie të paguajë 500 euro. Në këto kushte, ndodhin të tilla abuzime”, përmbylli Vokshi.
(d.xh/ Balkanweb)