Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë mbi shpërndarjen e buxhetit për vitin 2019. Ministrja para komisionit deklaroi se buxheti i akorduar kap shifrën e 39.1 miliard lekëve dhe përmbush pritshmëritë për thellimin e reformave, rritjen e pagës për mësuesit, shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe sigurimin e transportit për nxënësi dhe mësuesit nga klasat kolektive. Nga salla e Kuvendit ministrja detajoi edhe risitë që ky buxhet do të sjellë, me fokus të veçantë, rritjen e cilësisë në arsimin shqiptar.

“Buxheti për vitin 2019 është 39.1 miliard lekë dhe ka rritje me 1.1 miliard lekë. Është një buxhet që ka disa risi. Për herë të dytë mundëson rritjen e pagave për mësuesit në masën 7% me efektet financiar 1.3 miliard lekë. Premtimi ynë mbetet rritja e pagave në masën 40% deri në fund të mandatit. Do të jetë një buxhet që shton vëmendjen tek gjithëpërfshirja dhe barazia. Mësuesit ndihmës, me buxhetin e 2019 do të kemi 1 mijë mësues ndihmës, me rreth 900 milion lekë efekt financiar. Ambicia jonë është që çdo fëmije që do mësues ndihmës, ne ta sigurojmë atë.

Risi e këtij buxheti janë edhe 150 oficerë sigurie, me një buxhet 125.8 milion lekë. Ata janë instrument i rëndësishëm për sigurinë në shkolla, luftën kundër bulimit, radikalizmit dhe dhunës. Buxheti adreson 86 milion lekë për programin “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, në 2019 e shtrimë në 90 shkolla, 70 shkolla më shumë se një vit më parë. Kemi marrë shumë kritika për mbylljen e shkollave. Mbyllëm 345 klasa kolektive duke i qendërzuar në shkolla me bashkëmoshatarët e tyre. Asnjë mësues nuk del nga sistemi për shkak të kësaj reforme. Jemi të vendosur për mbylljen e klasave kolektive, siç bëmë këtë vit me 33 mijë fëmijë që mësonin në klasa kolektive. Buxheti 2019 akordon 800 milion lekë për 35 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për transportin e tyre. Do të kemi tekste falas edhe për klasën e 5-të në 2019, vijojmë të mbështesim edhe kategoritë në nevojë. Investojmë në 75 objekte të reja arsimore, palestra dhe laboratorë.” – deklaroi Nikolla

Gjatë seancës në komision, ministrja nuk la pa përmendur as arsimin e lartë i cili këtë vit merr 8.1 miliard lekë ose 410 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Nikolla rikonfirmoi se do të mbulohen 12 muaj pagat e pedagogëve por nga investigimi i bërë në shumë universitete ajo deklaroi se ka një fryrje të stafeve të cilat sjellin edhe uljen e parave që mund të shkojnë në favor të studentëve.

“Buxheti 2019, Arsimit të lartë i shtohen 410 milion lekë më shumë së një vit më parë. Pagat e pedagogëve do të mbulohen në 12 muaj nga buxheti i shtetit. Po monitorojmë punën e bordeve, administratorëve, dekanëve dhe rektorëve me strukturën universitare. Kemi konfirmuar se ka tejkalim të normës së punonjësve administrativë mbi 33% në disa universitete. Ndaj ne do bëjmë publike këtë investigim dhe do ndërhyjmë që taksat të shkojnë aty ku duhet dhe jo për nderet e radhës duke punësuar pa kriter.”

Jashtë vëmendjes nuk u la nga deputetët pjesëmarrës edhe protesta e studentëve para Kryeministrisë. Por ministrja u konfirmoi se nuk ka rritje tarifash prej disa vitesh dhe solli disa argumente mbi tarifën mesatare që paguajnë studentët në “Bachelor”.

“Ne jemi akuzuar se janë shumëfishuar tarifat. Por në të vërtetë nuk ka asnjë rritje tarifash. Tarifa mesatare që paguan një student sot është 26 314 lekë për studimet “Bachelor”. Ndoqa dje protestën ku studentët nga kërkesa për tarifë zero shkuan në përgjysmim të tarifës. Qeveria vendos tavanin e tarifës ndërsa vendimmarrja është e universiteteve. Universitet janë të lira të orientojnë vendimmarrjen e tyre për arsimin publik.”- u shpreh Nikolla

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb