Minoriteti grek në Shqipëri i është bashkuar zgjedhjeve të kësaj të diele në Greqi. Nga pika kufitare e Kakavijës në Gjirokastër u nisën drejt Greqisë autobusë të vënë në dispozicion nga deputetë grekë. Përfaqësues të minoritetit që votojnë në Athinë, për shkak të distancës së largët, udhëtuan drejt Greqisë që të shtunën, ndërsa të tjerë që kanë qendrat e votimit afër janë nisur mëngjesin e së dielës.

Ndërkohë, ambasadori shqiptar në Athinë, ambasadori Dervishi deklaroi për “News24” se janë rreth 100 mijë shqiptarë që janë thirrur për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme në Greqi. Ambasadori theksoi se deri në mesditë procesi i votimit ka qenë i qetë dhe nuk janë shënuar incidente.
“Zgjedhjet kanë nisur rreth orës 7:00’ të mëngjesit dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë incident. Koha është favorshme për qytetarët që kërkojnë të marrin pjesë në votime. Sipas informacioneve që kemi, rreth 100 mijë shqiptarë kanë të drejtë të votojnë dhe kjo mjaft e rëndësishme”,- deklaroi Dervishi.
Ambasadori gjithashtu bëri të ditur se në këto zgjedhje ka dhe kandidatë shqiptarë dhe votimi i shqiptarëve do të ndikonte në dëgjimin e zërit tonë në kuvendin grek.
Procesi zgjedhor në Greqi është çelur në orën 7:00’ dhe pritet të mbyllet në orën 19:00’. Në këto zgjedhje janë thirrur për të votuar 9 808 760 persona, ndërkohë që numërohen 19 449 qendra votimi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: