Shqipëria synon që me Kosovën të ketë liberalizim të procedurave në kufi mirëpo gjithnjë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave për këtë të fundit.

Kështu deklaroi Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi pas miratimit të rezolutës për heqjen e tërësishme të kontrollit të shtetasve të Kosovës dhe të Shqipërisë në hyrje/dalje, nëpër pikat e kalimit kufitar në Vërmicë, në Qafë Prush dhe në Qafë Morinë.

Miratimi i kësaj rezolute nga njohësit e integrimeve evropiane është cilësuar në kundërshtim me rekomandimin e vitit 2015, të Komisionit Evropian.

“Ajo që ne synojmë është që të kemi një liberalizim të mëtejshëm të procedurave në kufi pa prishur standardet e Bashkimit Evropian që kërkohen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Minxhozi për Ekonomia Online.

Në të njëjtën ditë, Kuvendi ka miratuar edhe Rezolutën për heqjen e tarifave të roaming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, rezolutë kjo e cila, sipas Minxhozit do të ndikojë në zhvillimin e të dy vendeve.

Sipasj tij, asnjë rezolutë e nxjerrë nga parlamenti nuk është e dëmshme për proceset në të cilat një vend kalon.

Kreu i ambasadës shqiptare ka folur njëherësh edhe për mbledhjet mes dy qeverive. Ai tha se këto mbledhje kanë bërë që të rritet “impulsi i punës” në të dy anët e kufirit.

“…këto mbledhje i kanë dhënë një impuls punës dhe kjo shprehet edhe në rezultatet që janë arritur”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb