Kombëtarja e vajzave mbylli pasditen e sotme përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Rumanisë. Skuadra zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Eugen Popescu” në orën 17:00 (16:00 cet), ku edhe do të zhvillohet edhe ndeshja nesër.
Departementi i Komunikimit bën me dije se gjendja e skuadrës është e mirë dhe fatmirësisht vajzat nuk kanë asnjë problem fizik dhe janë të gatshme të japin kontributin e tyre në këtë sfidë.
Skuadra beson te rezultati pozitiv, pavarësisht faktit se është një ndeshje miqësore dhe synimi kryesor është të testohen sa më shumë lojtaret e afruara së fundmi në skuadër.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Armir Grima udhëtoi të dielën drejt Rumanisë, ndërsa ka zhvilluar edhe një test miqësor pak ditë më parë ndaj ekipit të djemve U-15 të akademisë ‘Elite Youth’.