TIRANE- Pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, miqtë e tij shkrimtarë dhe jo vetëm shprehen se dhimbjen që këto momente po e ndjen gjithë Kombi shqiptar. Moikom Zeqo është i mendimit se figura kaq të mëdha si Agolli është vështirë t’i ndalë vdekja tokësore, pasi sipas tij, Agolli do mbetet gjithnjë i gjallë me veprat që la pas.

Moikom Zeqo: Është një dhimbje e freskët duket sikur fjalët paralizohen. si mik i tij i vjetër, si autori i një libri për të e prita lajmin me dhimbje të madhe. Njerëzit janë vdekatarë, të gjithë do vdesim, por ky lajm pati një lloj parapërgatitje, u fol për gjendjen e rënduar të tij edhe në media, por tani u bë fakt i patjetërsueshëm.
Vdekja e tij nuk është vetëm për familjen, ai hyn tek njerëzit që dhimbja bëhet tërësore, ndjehet edhe në Shqipëri këtej dhe andej Drinit siç thoshte vetë Agolli. Dhimbje e shumëfishtë, substanciale për një komb, për kulturën e tij. Ky është kryepersonazhi i letrave shqipe. Ai gëzonte respekt popullor.

Vdekja fizike është gjithmonë konvencionale, vdekja për një figurë të tillë nuk është shumë e fuqishme. Jeta e vërtetë është ajo që vjen më pas, u mbyll një portë, por ai do trashëgohet tek gjeneratat e ndryshme, vendin e ka të pashmangshëm dhe të patjetërsueshëm. Ishte pasuri për letërsinë.

DIANA ÇULI: VEPRA E AGOLLIT DO JETOJË SA TË RROJË LETËRSIA SHQIPE
Shkrimtarja Diana Çuli thotë se vepra e Dritëro Agollit do të jetojë për aq kohë sa do të rrojë letërsia shqipe. Teksa shpreh dhimbje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli, Çuli thotë se Dritëroi ishte një njeri i madh.

“Sa të rrojë letërsia shqipe do të jetojë edhe vepra e Dritëroi. Padyshim që humbja e tij është e dhimbshme për familjarët, miqtë e tij, dhe të gjitha ata që kanë punuar me të, apo janë rritur me veprën e tij. Ai ishte modest, ashtu siç janë të gjithë njerëzit e mëdhenj. Shkrimtarët janë njerëz që i trajtojnë edhe të tjerët në mënyrë të barabartë. Të punoje me Dritëroin ishte si të bëje një universitet tjetër”, u shpreh Çuli.

FATOS KONGOLI: AGOLLI ISHTE NJË NJERI I RRALLË, PO KËSHTU EDHE VEPRA E TIJ
Shkrimtari Fatos Kongoli thotë se Dritëro Agolli ishte një njeri dhe një shkrimtar i madh.

“Kur rrije me Dritëroin ndiheshe i barabartë. Dritëroi e kishte qejf rakinë, edhe unë gjithë jetën e kam pëlqyer rakinë. E na bashkonte shpesh tavolina e bisedonim. E njoh mirë në këtë drejtim. Agolli ishte një njeri i rrallë. Edhe në veprën e tij”.

KORKUTI: MADHËSHTIA E DRITËROIT ISHTE NË THJESHTËSINË E TIJ
Kreu i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti shprehet se ndarja nga jeta e Dritëro Agollit lë pas hidhërim, por thotë se vepra e tij lë një pasuri të madhe.

“Largimi i Dritëroit nga hidhëron. Por ai la një vepër të madhe. Ai ishte i madh në letërsi. Por edhe i madh si një njeri. Nuk e dallojë dot, nëse ishte një krijues i shquar i letrave shqipe, apo edhe një akademik. Në çdo pozicion ishte i madh. Madhështia e tij, ishte në thjeshtësinë e tij. Ai kishte merak për Akademinë e Shkencave, që të bëhet më shumë në këtë drejtim”, tha Korkuti.

MATTEO MANDALA: LAJM I HIDHUR EDHE PËR ARBËRESHËT
Studiuesi arbëresh Matteo Mandala thotë se ky është një lajm i hidhur edhe për arbëreshët.

“Dritëro Agolli është një lajm i keq. E dinim që ishte sëmurë, por e nuk menduam se do të na largohej kaq shpejt. Na vjen shumë keq. Ky është një lajm i hidhur për të gjithë shqiptarët, por edhe për arbëreshët. Kjo është një humbje e madhe për letërsinë shqipe. Jemi të tronditur nga lajmi. Dritëroi ka qenë i njohur për arbëreshët, vepra e tij ishte përkthyer edhe në italisht. Ka qenë mbresëlënës Dritëroi në mjediset arbëreshe”, tha Matteo Mandala.

PREÇ ZOGAJ: HUMBËM NJË NJERI TË MADH, SHQIPËRIA SOT ËSHTË MË E VARFËR
Preç Zogaj shpreh dhimbje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli. Zogaj thotë se shkrimtari i madh ka ndihmuar shumë të rinj që të regjistrohen në shkollë të lartë, në kohën kur sistemi nuk ua mundësonte një gjë të tillë. Preç Zogaj thotë se ai është një prej këtyre të rinjve që ka fituar të drejtën për të studiuar në fakultet falë ndihmës së Dritëro Agollit.

“Mendoj se gjithë admiruesit e tij, miqtë e tij ndjejnë dhimbje sot. Dritëroi është shkrimtar elitar. Ai është shumë popullor, por brenda veprës së tij ka elitë, ka pasuri. Shqipëria është varfëruar sot, me vdekjen e Dritëroit. Jam shumë i prekur nga ndarja e tij nga jeta, edhe ngaqë kam qenë i afërt me të. Njeriu nuk është i përjetshëm, por ndarja nga jeta është e hidhur. Dritëroi Agolli është një ndër simbolet e kulturës moderne shqiptare. Dritëro Agolli si kryetari lidhjes së Shkrimtarit sollën kriterin e talentit për të stimuluar shkrimtarët e rinj. Me këtë truk ai ka ndihmuar shumë të rinj për të shkuar në shkollë të lartë, nga të gjitha krahinat e vendit. Unë kam qenë një ndër ta. E kam njohur Dritëroin në moshën 18-vjeçare. Qe kur shkrova poezitë e para e nuk munda të regjistrohesha në shkollë, Dritëroi më ka ndihmuar. Ai ka ndihmuar të rinjtë, frymën e të rinjve, brenda kornizës së kohës sigurisht. Pavarësisht detyrave që ka mbajtur, edhe si ministër, Agolli ishte poet, dhe mbeti i tillë deri në fund”, tha Zogaj.

REXHEP QOSJA: AGOLLI ISHTE I MADHI I LETËRSISË SHQIPE, GOJËARTI, QË ÇDO LEXUES E DESHI
Akademiku Rexhep Qosja ka shprehur dhimbje për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli. Ai tha se vepra e Dritëro Agollit do të jetojnë mes lexuesve të tij dhe studiuesve që e kanë dashur për veprën e tij, dhe atë ç’ka ka përcjellë në vite.

“Mësova ndarjen nga jeta të krijuesit të madh, shkrimtarit, dramaturgut, gojëartit në letërsi. Agolli ndahet nga jeta e sotme, por mbetet përgjithmonë në jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Ai është i madhi i letërsisë shqipe, ai ishte shkrimtar i veçantë. Shkrimtari që u çmua shumë. Por edhe shkrimtari që duhej shumë nga lexuesi. Kemi shkrimtarë sot që çmohen, por nuk duhen prej lexuesve. Kurse Agolli i kishte të dyja, edhe çmimin e studiuesve, edhe të lexuesve të tij. Agolli ka bërë diçka që nuk e kanë bërë shkrimtarët e tjerë, ai me humorin e tij karakteristik, të krijuar në numrin më të madh të veprave të tij, ka përhapur shumë mirëkuptim e dashuri në popullin e tij, e mes lexuesve të tij. Agolli mbetet një shkëlqim i veçantë i letërsisë shqipe. Vepra e tij gjithmonë do të çmohet nga lexuesit e tij”, u shpreh akadamiku Rexhep Qosja.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb