Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar në lidhje me miratimin e Rregullores për zgjedhjen e drejtuesve të policisë.

Hoxha shprehet se tashmë garantohet që përzgjedhja do të bëhet në bazë të meritës, integritetit, profesionalizmit dhe transparencës, për të siguruar një udhëheqje më efektive dhe një Polici më të përgjegjshme.

Ai ka renditur edhe kriteret dhe aftësitë e nevojshme për të garuar.

Reagimi: 

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua Vendimi për Rregullat dhe Procedurat e Përzgjedhjes së drejtuesve të Policisë së Shtetit. Një hap thelbësor ky, që vjen në zbatim të ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”.

Ky akt përfaqëson një reformë të rëndësishme, që përmirëson strukturën dhe transparencën e procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të policisë, në nivel qendror e vendor, përfshirë Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, Drejtorët e Departamenteve, Drejtorët e Drejtorive Vendore, si dhe Shefat e Komisariateve.

Për herë të parë, normohet përmes një procesi konkurrues, duke garantuar që përzgjedhja të bëhet në bazë të meritës, integritetit, profesionalizmit dhe transparencës, për të siguruar një udhëheqje më efektive dhe një Polici më të përgjegjshme përpara qytetarëve tanë.

Reforma synon forcimin e besimit të publikut te Policia e Shtetit, si institucioni kryesor për sigurinë publike.

Gjithashtu synon rritjen e performancës së saj në garantimin e sigurisë publike dhe luftën kundër krimit.

Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të kritereve të qarta për aftësitë drejtuese dhe organizative, me objektiv:

Krijimin e një procesi të rregullt dhe të standardizuar për përzgjedhjen e drejtuesve;

Nxitjen e transparencës dhe objektivitetit;

Përcaktimin e kritereve të rrepta për vlerësimin e kandidatëve; Krijimin e komisioneve të për vlerësimin e aplikimeve dhe shqyrtimin e ankesave;

Promovimin e meritokracisë dhe konkurrencës së drejtë;

Garantimin e shmangies së konfliktit të interesit dhe parandalimin e diskriminimit.

Qeveria dhe Ministria e Brendshme mbeten të angazhuara për të vazhduar reformat e thella në Policinë e Shtetit, duke përmirësuar shërbimet dhe duke garantuar një siguri më të lartë për të gjithë qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb