Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi sot në çelje të seancës plenare largimin e deputetit Enkelejd Alibeaj nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Alibeaj kërkoi largimin nga ky grup parlamentar, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që njohu ish-kryeministrin Sali Berisha si kryetar i Partisë Demokratike. Në seancën e sotme parlamentar, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla lexoi në seancën plenare shkresën e dërguar nga Alibeaj, i cili njofton se nuk është më pjesë e grupit të PD. Alibeaj kishte njoftuar më herët se kishte dorëzuar kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i PD. Ndërkohë në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj sqaroi se se s’mund të jetë pjesë e atij grupi që drejtohet nga Berisha.
“Unë jam demokrat, sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u përpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin”, -u shpreh Alibeaj.