Kuvendi miratoi nen për nen dhe në tërësi buxhetin e shtetit 2025 me 75 vota pro dhe 24 kundër. Gjatë seancës janë rrëzuar të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita. Kjo e fundit kishte propozuar amendamente lidhur me pensionet, shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.

Në tërësi opozita kishte propozuar 55 amendamente, pjesa dërrmuese e të cilave nga PD dhe më pas nga Partia e Lirisë dhe deputeti Enkelejd Alibeaj. Amendamentet e opozitës u konsideruan si populiste, ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj tha se nëse do të merreshin parasysh ato do ta kthenin buxhetin në ‘piramidal’.

Në anën tjetër, deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve. Tabaku u shpreh se shqiptarët janë më të pambrojturit.

Tabaku kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme.

“Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar. Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor. Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar. Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore”, tha deputetja demokrate.

Por edhe amendamenti i saj për zhvlerësimin e euros u hodh poshte nga mazhoranca.

Buxheti i shtetit për 2025 konsiderohet si më i madhi në historinë e tranzicionit shqiptar. Mbi 8.2 mld lekë do të jenë në dispozicion për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Por gjatë orëve të pasdites në seancë nuk kanë munguar as batutat mes deputeteve socialiste.

Blerina Gjylameti duke marrë fjalën lidhur me amendamentet e opozitës tha se janë si Liza në Botën e Çudirave.

Në anën tjetër kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, i ka kërkuar koleges socialiste të ketë më shumë respekt për Lizën.

“Do doja pak më shumë respekt për Lizën…!”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb