TIRANE – Pas një seance të gjatë debatesh dhe pa praninë e deputetëve të opozitës, Kuvendi miratoi të enjten në mbrëmje të gjitha pikat e rendit të ditë.

Me 72 vota u miratua ndryshimi i marrëveshjes së koncensionit ndërmjet palës shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Airport Partners”. Marrëveshja synon rinegocimin e kushteve të koncensionit për t’i hapur rrugën vënies në punë të dy aeroporteve të reja, një në Kukës dhe tjetri në Jug të vendit.

Me 72 vota deputetët e maxhorancës miratuan ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”. Marrëveshja synon përcaktimin e rregullave të përgjithshme të sigurisë që do të zbatohen për çdo shkëmbim informacioni të klasifikuar ndërmjet shtetit shqiptar dhe BE-së.

P/ligji “Për shoqëritë e kursim kreditit dhe unionet e tyre”, i miratuar me 72 vota, synon forcimin e kontrollit të Bankës Qendrore ndaj SHKK-ve duke i lënë hapësirë zhvillimit të veprimtarive të tjera financiare, si shërbim pagesash, transferta apo shërbimi i këmbimit valutor.

Kuvendi miratoi sot dhe ndryshimet në ligjin “Për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, që mbush boshllëqet në ligjin ekzistues, të cilat i lënë hapësirë shkeljeve, sidomos në fushën e etiketimit të produkteve që zëvendësojnë qumështin e gjirit.

Sot u miratuan dhe rezolutat për veprimtarinë e disa institucioneve gjatë vitit 2015, si e Bankes se Shqipërisë; Autoritetit te Komunikimeve Elektronike dhe Postare; Autoritetit te Konkurrencës dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Deputetët në fund të seancës miratuan dhe zëvendësimin e Eduard Halimit, nënkryetar demokrat i komisionit për reformën në drejtësi, me deputetin Oerd Bylykbashi. Ndërsa ky i fundit u zëvendësua në komisionin e reformës zgjedhore me deputetin Keltis Kruja.

Interpelanca e parashikuar për sot, me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputetët e PDIU-se, lidhur me ecurinë e punës në Rrugën e Arbrit, u shty për një séancë tjetër.

Punimet e parlamentit u shoqëruan me përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës, ku në fokus ishin debatet për pajisjen e paligjshme te përgjimit; skandali seksual i kryebashkiakut të Dibrës dhe kërcënimet ndaj deputetit Ben Blushi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: