Një numër qytetarësh kanë filluar një protestë në Prishtinë kundër shtrenjtimit të  energjisë elektrike   të premten, pak orë pasi rregullatori i energjisë miratoi kërkesat e operatorëve energjetikë për rritjen e çmimit të saj.

Derisa bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës  nuk tregoi në mbledhjen e së premtes se për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës,  burime të brendshme kanë treguar  se rritja do të jetë deri në 16 për qind.

Njëri nga organizatorët e protestës nga grupi “Asnjë cent më shumë”, tha se bordi i ZRRE-së i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave.

“Thirrja jonë e përbashkët sot u shkoi në vesh të shurdhër zyrtarëve të ZRRE-së: Asnjë cent më shumë. Sot në mënyrë arbitrare, në mënyrë jolegjitime dhe në mënyrë të njëanshme, bordi i rregullatorit mori vendim pa i pyetur dhe pa i marrë parasysh komentet e qytetarëve. Ata nuk e përfaqësojnë popullin”, tha ai.

Protesta nisi në mesditë në sheshin Zahir Pajaziti në qendër të qytetit dhe vazhdoi te zyra e rregullatorit të energjisë në lagjen Pejton.

Organizatorët paralajmëruan se do të dorëzojnë padi ndaj vendimit të ZRRE-së më 14 prill në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është protesta e dytë kundër shtrenjtimit të rrymës në vend, pas asaj më 5 prill.

Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre në mbledhjen e së premtes, dhe tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim. Më herët, ZRRE-ja njoftoi se tarifat e reja do të hynin në fuqi më 1 maj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb