TIRANË- Qeveria ka miratuar sot Strategjinë e Menaxhimit Financiar Publik, që bën të mundur mbështetjen sektoriale të buxhetit nga Bashkimi Evropian me 40 mln euro. Shefja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, përshëndeti miratimin e strategjisë dhe vlerësoi angazhimin e qeverisë për ndërmarrjen e reformave në sistemin e menaxhimit financiar.

“Qeverisë shqiptare i duhen dhënë merita të plota për angazhimin e saj të fuqishëm për ndërmarrjen e këtij programi gjithëpërfshirës reformash për trajtimin e gamës së gjerë të të metave të sistemit të menaxhimit financiar publik. Zbatimi i qëndrueshëm i strategjisë do të jetë tani kyç. BE, nga ana e saj, do t’i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për trajtimin e kësaj reforme shumë të vështirë strukturore”, tha ambasadorja Vlahutin.

Ndërkohë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se fokusi tashmë është forcimi i menaxhimit Financiar Publik përmes planifikimit të një strategjie reformash për të mbuluar periudhën deri në vitin 2020.

“Gjatë vitit që kaloi është bërë shumë për identifikimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Tashmë fokusi është kthyer drejt forcimit të Menaxhimit të Financave Publike përmes hartimit të një strategjie reformash për periudhën deri në vitin 2020. Strategjia e MFP është një instrument i rëndësishëm për drejtimin e reformave dhe monitorimin e progresit. Kjo është një përpjekje e përbashkët e qeverisë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha ministri Cani.

Strategjia MFP, e hartuar nga Ministria e Financave, me kontribut nga KLSH dhe këshillim nga BE, SIGMA, FMN dhe Banka Botërore, synon intensifikimin e përpjekjeve të vazhdueshme për përballimin e mangësive të të gjithë sistemit të menaxhimit financiar publik.

Kjo strategji synon të vendosë një kontroll të brendshëm dhe praktika më të mira të menaxhimit financiar, parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit në menaxhimin e fondeve publike, si dhe forcimin e kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes së buxhetit.
Zbatimi i strategjisë MFP do të çojë në një administrim më efikas që do të japë shërbime më të mira për publikun.

Miratimi i Strategjisë shtron udhën për programin e BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit. Si rrjedhim programi i BE-së prej 40 milionë eurosh do t’i sigurojë fonde buxhetit kombëtar mbi bazën e reformave të arritura.

Ai do të shoqërohet gjithashtu me rritjen e transparencës kundrejt publikut, mbështetje ndaj Parlamentit në rolin e tij mbikëqyrës dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile.

Komiteti Drejtues i Reformës MFP, i udhëhequr nga Ministri i Financave do të drejtojë zbatimin e strategjisë. BE dhe palë të tjera të interesuara, si dhe organizatat e shoqërisë civile, do të kenë një rol aktiv në monitorimin e zhvillimeve.

Miratimi i programit për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit nga Komisioni Evropian parashikohet të kryhet para fundit të vitit.

(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb