Mediat britanike i kushtojnë sërish një artikull emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë në mënyrë të paligjshme kanalin e La Manshit dhe e dëshmojnë me krenari në rrjetet sociale mbërritjen në Britaninë e Madhe.
Emigrantët shqiptarë kanë shpërndarë foto në rrjetet sociale teksa pozojnë përpara monumenteve të Londrës vetëm disa ditë pasi kaluan Kanalin me gomone.

Një emigrant bëri një selfie teksa ishte në bordin e një anijeje në Kanalin e La Manshit, më pas ai u shfaq në një restorant në Londër dhe vetëm gjashtë ditë më pas publikoi fotografi në urën Westminster me Syrin e Londrës në sfond.

Një tjetër emigrant shqiptar ka përshkruar udhëtimin e tij me autobus nga Kukësi drejt një hoteli të klasit të lartë në Francë dhe më pas udhëtimin me varkë drejt Britanisë së Madhe. Ai është shfaqur në rrjetet sociale duke qëndruar përballë një kalorësi nga Trupa e Mbretërore në detyrë roje.

  • foto galeri
  • foto galeri

The Telegraph ka mundur të gjejë videot e pesë shqiptarëve, të cilët kanë filmuar udhëtimin e tyre drejt Britanisë dhe e kanë postuar videon në TikTok. Njëri prej tyre ka shkruar se kishte udhëtuar në det për gati 10 orë dhe më pas “filloi udhëtimin nga një vend ku policia franceze nuk ishte e pranishme”.

Një emigrant i kapur nga zyrtarët e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi se kishte paguar 3500 £ për kalimin e Kanalit të La Manshit. Sekretarja e Brendshme, Priti Patek ka thënë se: “Njerëzit po inkurajohen të largohen nga vendet e sigurta europiane dhe të bëjnë udhëtime vdekjeprurëse drejt Mbretërisë së Bashkuar, në përfitim të bandave të krimit të organizuar dhe trafikantëve.

“Kompanitë e mediave sociale, si TikTok, kanë një përgjegjësi morale për të ndërmarrë veprime të menjëhershme, për të hequr këto postime të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Këto media duhet të ndalojnë së publikuari përmbajtjet që promovojnë aktivitete të paligjshme dhe kriminale”. Shqiptarët që mbërrijnë në Britaninë e Madhe po shqyrtohen nga shërbimet e sigurisë mes shqetësimeve të përhapura për përfshirjen në krimin e organizuar. Shqiptarët “qëndrojnë në listën e prioriteteve të shërbimeve të sigurisë”, shkruan Daily Mail.

Ndërsa trafikantët e njerëzve shfrytëzojnë kufijtë porozë të Britanisë, emigrantët shqiptarë u bënë kombësia më e madhe që mbërrinin përtej Kanalit në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke kapërcyer irakianët, iranianët, sirianët dhe afganët.

Të dhënat treguan se 2165 shqiptarë mbërritën në atë periudhë, por që nga fillimi i korrikut numri mendohet të ketë arritur në 6000 emigrantë. Patel ka bërë me dije se plani për largimin e shpejtë të emigrantëve shqiptarë të paligjshëm është gati. Nga java e ardhshme, policia shqiptare do të punojë së bashku me oficerët e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar në Dover. Vizitat e mëparshme në bankën e të akuzuarve nga oficerët shqiptarë kanë çuar “në një ndryshim të theksuar në sjellje” nga emigrantët shqiptar.

Skema e shpejtë do të përdorë ligjet ekzistuese, të miratuara nga ish-qeveria laburiste në 2002, për t’i trajtuar kërkesat shqiptare për azil si “tërësisht të pabaza”. E ashtuquajtura “skema shqiptare” për largimin e shpejtë të emigrantëve po përballet tashmë me kritika nga grupet pro-migrante. Kreu i Këshillit të Refugjatëve, Enver Solomon, tha se ishte “krejtësisht e gabuar” t’i vendoset skemës një emër i tillë “bazuar në paragjykime për vendin e origjinës”. Mbetet e paqartë nëse “skema e largimit të shpejtë” mund të përballet me padi në gjykata, njëjtë si marrëveshja e azilit në Ruandë, e cila është lënë në harresë ligjore prej muajsh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb