Nga Enida Himaj*
TIRANE-Koncerti i Albanit ishte dhe qershia mbi tortë për karrierën e tij”, shprehet këngëtarja Miriam Cani teksa e pyesim për recitalin që i fejuari i saj mbajti për tri ditë me radhë. Partnerja si dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e tij, rrëfen se si arritën të përcillnin tek publiku 10 vitet e karrierës së Alban Skënderajt. Nuk munguan në këtë aktivitet as politikanët, me të cilët, Miriami shprehet se kanë një marrëdhënie jashtë kostumit zyrtar. Këngëtarja flet dhe për këngëtaret e reja në skenën muzikore. Sipas saj, zhveshja përbën lajm, por jo muzikë. Tashmë çifti po mendon dhe për një fëmijë, e nëse gjithçka shkon ashtu si ata duan, vitin tjetër do të kenë një pjesëtar të ri në familje.

Sapo kanë përfunduar tri ditët e recitalit të Albanit; si shkoi, a ishte ashtu si e kishit parashikuar?
Çdo gjë shkoi më së miri. Kishim disa muaj që punonim për këtë projekt dhe të tria ditët ishin një mrekulli. Në një farë mënyre ne e morëm një përgjigje në publik, ku nëpërmjet fotove, apo edhe videove që postoheshin në rrjetet sociale, njerëzit e kishin shijuar muzikën që Albani bëri. Ka qenë një punë e madhe, pasi donim të sillnim një element të ri, por besoj se tani ia kemi dalë me sukses. Jam shumë e lumtur për këtë.
Përse vendosët të sillnit një koncert ndryshe, larg atyre të zakonshmëve?
Sepse Albani i kishte konsumuar tashmë të gjitha llojet e muzikës. Ka disa çmime në karrierën e tij, këngë shumë të mira, dhe kishte ardhur momenti që të kishte diçka ndryshe. Menduam të sillnim këtë recital, pasi donim të vinim theksin tek muzika e mirë, me të gjitha detajet. Kemi hasur në disa vështirësi, pasi na është dashur të kujdeseshim vetë për gjithçka. Në vendet e tjera ndodh që artisti mendon për të sjellë vetëm muzikë të mirë dhe janë të tjerët që mendojnë për elementët shtesë, por këtu funksionon ndryshe. Donim që koncerti i Albanit të ishte i veçantë, i pari në llojin e tij, ku të shërbente dhe si një etapë tjetër në muzikën shqiptare. Shpresoj shumë që pas kësaj të ketë më shumë koncerte të kësaj natyre. Pse jo, le të shërbejë Albani si nismëtar për këtë!
A patët mbështetje, qoftë edhe financiare?
Jo, nuk kemi pasur asnjë mbështetje. Artistët këtu punojnë fort që të arrijnë gjithçka vetë, ashtu ndodhi dhe me ne. Unë dhe Albani punuam për muaj me radhë për të realizuar gjithçka në mënyrë perfekte. Në Shqipëri nuk vlerësohet si duhet arti, mbi të gjitha një muzikë e mirë.
Në koncert kishte shumë të ftuar VIP; ishin të ftuarit tuaj apo kishin blerë biletat?
Ne kemi shumë miq artistë. Natyrisht që, të gjithëve atyre që njihnim u dërguam ftesa. Kishte dhe nga ata që kishin marrë bileta për të qenë prezentë në netët e spektaklit. Të dy ne u ndjemë të vlerësuar nga njerëz që e njohin muzikën dhe që na përgëzuan për gjithçka bëmë.
A ndjeni xhelozi mes kolegësh, a e patët këtë ndjesi gjatë koncertit?
Të them të drejtën, nuk e kam ndjerë kurrë. Kemi shumë miq të mirë si kolegë dhe gjithnjë i kemi parë me syrin e miqve. Gjatë netëve të spektaklit, gjithçka që ndjeja ishte një dashuri për artin, për muzikën.
Nuk munguan as politikanët; si i keni marrëdhëniet me ta?
Politikanët ishin të ftuarit tanë si miq. Për ne nuk ka shumë rëndësi se nga cila fushë vijnë, i rëndësishëm është raporti që krijojmë me ta. Kemi njohje me ta që para se t’i hynin politikës dhe kemi një miqësi jashtë asaj që ata përfaqësojnë. Ata ishin me ne për të shijuar muzikën, si dhe për të na mbështetur.
Përse vendosët të ishte Albani në një recital dhe jo si çift në skenë?
Arsyeja e parë ishte 10-vjetori i karrierës së Albanit. Dhe bëhet fjalë për 10 vjet karrierë brilante, me çmime si dhe me shumë suksese, ndaj dhe kjo ishte si qershia mbi tortë për të. Ndërsa unë kam një karrierë më së shumti në arenën ndërkombëtare. Shumicën e projekteve i kam në Gjermani, këngë në gjuhën angleze. Ndaj dhe them se ka dhe pak kohë për mua para se të ngjitem në skenë në një recital timin.
Gjatë kohës së interpretimit Albani kishte dhe një dedikim dashurie për ju; si u ndjetë?
Ishin disa dedikime, në fakt. Gjithçka ishte një surprizë për mua dhe s’mund ta mohoj që u emocionova. Ne kemi një lidhje të gjatë, si dhe një bashkëpunim shumë të mirë në karrierën tonë, ndaj dhe dedikimi ishte si partnere fillimisht, pastaj si një bashkëpunëtore e afërt.
Ka ndryshuar marrëdhënia juaj me kalimin e viteve, po ndjenjat?
Patjetër që ka ndryshuar. Dashuria është rritur dhe lidhja është konsoliduar. Me kalimin e viteve jemi afruar më shumë si çift, duke qenë se njihemi më mirë tashmë. Është një ndjenjë që çdo ditë ndryshon, përmirësohet.
Si është të kesh partner dikë të fushës tënde, e ndihmon raportin apo e komplikon më së shumti?
Shpesh thonë që dy njerëz të së njëjtës fushë nuk përputhen mirë në një lidhje, por ky nuk është rasti ynë. Lidhja me Albanin na ka ndihmuar të dyve në karrierë. Kuptohemi më mirë, bashkëpunojmë më komodë me njëri-tjetrin. Ndoshta të qenurit të dy artistë është një ndër pikat më të forta që ne kemi si çift.
Ju keni qenë pjesë e talent show-t “The Voice”, si i shikoni talentet e reja në Shqipëri?
Shqipëria ka mjaft të rinj të talentuar. Këtë e them me bindje. Prurjet janë gjithnjë cilësore, por këtu mungon një strukturë për artistët. Në Shqipëri artisti duhet të kujdeset vetë për gjithçka: për menaxhimin e tij, për të gjetur fondet, për veshjen, për të gjitha. E gjitha kjo e dëmton punën reale të një këngëtari, që është muzika. Në vendin tonë ka shumë të rinj të talentuar, por duke qenë se nuk kanë një menaxhim të mirë, nuk mundet të bëjnë një karrierë të mirëfilltë.
Si i shikoni këngëtaret e reja që kërkojnë famë nëpërmjet ekstravagancës së tepërt?
Në këto 10 vite që unë kam karrierë, nuk është se jam marrë shumë me këto këngëtare. Patjetër që ekzistojnë shumë të tilla, por zhveshja përbën lajm, jo muzikë të mirë. Të tilla këngëtare nuk janë jetëgjata në skenën tonë.
Ku paguhen më mirë këngë-tarët, në Gjermani apo në Shqipëri?
Besoj se kjo është më se evidente. Gjermania ka tjetër standard, sidomos kur vjen fjala për artistët. Ndërsa në vendin tonë, i vetmi burim fitimi për një këngëtar është të jetë i ftuar në klube të ndryshme ku interpreton.
Prej kohësh jeni të fejuar, kur do të jetë dasma juaj?
Në fakt na e bëjnë shpesh këtë pyetje. Dasmën e kemi menduar për një moment kur të dy të jemi më të lirë dhe të gatshëm për ceremoninë. Po e mendojmë seriozisht në fakt dhe, kur të ndihemi më të realizuar, të kemi mundësinë të investojmë tek dasma jonë, patjetër që do ta realizojmë dhe martesën.
Keni në plan një ceremoni të thjeshtë apo një festë madhështore?
Mendoj se do të jetë diçka e ngrohtë me rrethin e ngushtë. Në një dasmë të tillë ke më shumë mundësi të ndjesh dashurinë dhe ndjesitë pozitive që merr nga të ftuarit.
Ky ka qenë viti i shtatzënive VIP, a keni plane për një fëmijë?
Po, faktikisht dhe ne kemi në plan ta shtojmë familjen tonë. Vitin tjetër do të kemi patjetër një fëmijë. Natyrisht që këto gjëra nuk janë totalisht në dorën tonë, por unë dhe Albani jemi të gatshëm tashmë për t’u bërë prindër.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb