NGA MIRON ÇAKO


Si e shikoj unë Nënë Terezën e Kalkutës? Kur vështroj figurën e Nënë Terezës, dhe aq më shumë tani të lartësuar nga Kisha Romano-Katolike në renë e shenjtorëve, menjëherë më vijnë në mend fjalët e Krishtit, biri i njeriut: “Ejani të bekuarit e Atit tim merrni me trashëgim Mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës, sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit…”(Mateu 25, 35-36) Personalisht kam pasur bekimin ta takoj dy herë Nënë Terezën. Për herë të parë në vitin 1991, kur ajo së bashku me motrat e saj misionare ngriti një shtëpi bamirësie në Tiranë pranë gjimnazit “Partizani”. Kur ajo erdhi, të gjithë ne të pranishmit iu mblodhëm përreth duke u shtyrë dhe zgjatur duart që ta preknim. Ashtu si të tjerëve, më zgjati dorën e saj të vogël edhe mua. Unë e putha me shumë respekt, duke besuar se ajo dorë transmetonte bekim nga Zoti.


Më vonë kur mësova për veprën e saj misionare në botë, kuptova se dora që kisha puthur ishte ajo dorë që kishte veshur, pastruar, ushqyer me mijëra të varfërit e më të varfërve, që bota i kishte hedhur tutje në rrugë si plehra, por për Nënë Terezën ata ishin si margaritarë të fshehur mes qymyrit, ishin vetë Krishti (margaritari i paçmuar). Ajo ishte një e krishtere e përgjegjshme që i besonte dhe i kishte marrë seriozisht fjalët që Krishti tha: “Çfarë ua keni bërë këtyre më të vegjëlve (të braktisurve), ma keni bërë mua”. Ajo thoshte: “Unë ushqej dhe ndihmoj Jezuin, sepse kjo ishte ajo që Ai urdhëroi, të ndihmosh të varfërit… Kur unë isha i varfër, a më ushqeve? Kur isha i etur, a më dhe të pi? Kur isha në të ftohtë, a më veshe?” (Nënë Tereza). Hera e dytë ka qenë pas viteve ’92. Në Tiranë, te Piramida u krye një takim ku ishte e ftuar Nënë Tereza. Aty e priti z. Sali Berisha, që ishte president në atë kohë.


Kur Nënë Tereza erdhi dhe z.Sali e priti dhe e drejtoi në podium, unë isha afër dhe po ndiqja me shumë interes këtë moment, se pse më vinte mirë që një president shqiptar priste me aq përzemërsi dhe respekt një besimtare murgeshë të krishterë, ndryshe nga paraardhësit e tij në sistemin ateist-komunist, që ishin sjellë aq keq me të krishterët klerikë dhe laikë, po ashtu edhe me të afërmit e vetë Nënë Terezës, nënën dhe motrën. Presidenti i entuziazmuar gjeti rastin dhe iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Ja një shqiptare e madhe me të cilën mund të krenohemi.” Patjetër, kur i dëgjova këto fjalë ndjeva vërtet një krenari kombëtare brenda vetes dhe për momentin më erdhi mirë që isha shqiptar, pavarësisht situatës ku ndodheshim në ato vite. Nënë Tereza mbasi dëgjonte me vëmendje, ashtu me trup të vogël siç ishte dhe me duar të mbajtura në pozicion lutjeje, drejtoi gishtin nga presidenti dhe i tha me qetësi, po me shumë seriozitet: “Zoti president, jo një shqiptare e madhe, por Krishti në zemrën e një shqiptareje”.

Këto dy takime kanë qenë të mjaftueshme, që unë ta shikoj Nënë Terezën deri më sot, jo thjesht si një humaniste e madhe, as si një fetare sinkritiste (të gjitha fetë janë njësoj), as edhe si një shqiptare të madhe, se ajo vetë nuk e pranoi, por si një e krishtere e vërtetë që me Hirin e Zotit Jisu Krisht përmbushi në veten e saj virtytin më të lartë të krishterimit, që është dashuria sipas Krishtit, ashtu si thotë dhe apostull Pavli në himnin e dashurisë: “Pra këto tri gjëra mbeten: Besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja ndër to është dashuria”( 1 korinjtasve 13). Nënë Tereza nga Kisha Romano-Katolike u shpall në 4 shtator shenjtore, si Tereza e Kalkutës. Pavarësisht se shumë do dëshironin ta quanin atë p.sh.: nënë Tereza e Shkupit – ku është vendlindja e saj, ose nënë Tereza e Tiranës – ku qëndroi familja e saj, ose nënë Tereza e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve, se nga njeriu i mirë të gjithë duan të përfitojnë, por sipas rregullit kishtar, një shenjtor dallohet nga një shenjtor tjetër zakonisht duke marrë nga pas emrin jo të vendlindjes, por të vendit ku ai ka shërbyer, përpjekur dhe ku ka dhënë shpirtin te Zoti.

Kjo gjë ka domethënie, për të na treguar neve njerëzve të thjeshtë dhe naivë, se shenjtorët, që do të thotë “i ndarë për Krishtin”, janë shpërndarë dhe vendosur nga providenca hyjnore në vende të ndryshme të botës pavarësisht origjinës së tyre, duke qenë si dritë dhe kripë për njerëzit e atij vendi. Ata duke imituar Krishtin në jetën e tyre japin mesazhin e dashurisë pa kushte, për Zotin dhe për të afërmin. Me mësimin dhe shembullin e tyre sipas parimeve ungjillore, na çlirojnë nga urrejtja racore, nacionaliste, fetare, që kaq shpejt na mashtrojnë, duke sjellë fatkeqësi të shumta për veten dhe fëmijët tanë. Edhe në Shqipëri kemi shembuj të tillë shenjtorësh të cilët nuk ishin të racës dhe gjakut shqiptar, por u dërguan te ne nga Perëndia, për të shërbyer pa interes deri edhe me jetën, që kështu ata të bëhen nderi dhe bekimi për vendin tonë, ashtu siç u dërgua dhe bë edhe Nënë Tereza, nderi dhe bekim i veçantë për Kalkutën e Indisë dhe gjithë botën.

* Autori është shef i zyrës së katekizmit në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: