Një blogere ushqimi nga Kina mund të përfundojë pas hekurave, pasi ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, një video ku gatuan një peshkaqen të bardhë, që është një specie e mbrojtur.
Për videon e ndarë me 8 milionë ndjekësit e saj në Douyin, një rrjet social i njohur kinez, influencuesja e ushqimit Tizi rrezikon të përballet me 5 deri në 10 vjet burg.
Ky është dënimi që përcakton ligji në Kinë për ata që kapin, tregtojnë dhe hanë peshkaqenin e bardhë, peshkun grabitqar më të madh në botë që Tizi e përdor si përbërësin kryesor të “recetës” së saj.
Peshkaqeni i bardhë është një specie shumë e rrallë dhe vlerësohet se në botë, midis Afrikës së Jugut dhe brigjeve të Australisë – ku jeton kryesisht edhe nëse, për shkak të ndryshimeve klimatike, tani gjenden rreth 3500 ekzemplarë.
Në videon e saj Tizi tregon momentin në të cilin ajo blen peshkaqenin e bardhë në tregun e peshkut në Nanchong, në jugperëndim të vendit. Më pas ajo shihet e shtrirë pranë peshkaqenit për të treguar përmasat e tij dhe së fundi, ajo shfaqet duke pastruar dhe marinuar atë, përpara se ta vendosë në zgarë për ta pjekur dhe kokën e përdor për të gatuar një supë.
“Mund të mos duket kështu, por mishi i tij është me të vërtetë shumë i butë”, shprehej influencuesja e rrjeteve sociale teksa konsumonte me lakmi peshkaqenin.
“Është e çuditshme si një personazh i famshëm në internet mund të hajë një kafshë të mbrojtur para miliona njerëzve në mes të ditës!”, ka shkruar një ndjekës i Tizit.
Ndërkohë, ambientalistët në mbarë botën e kanë dënuar tashmë aktin e saj.