Shqipëria bëhet sërish promovuese dhe mbështetëse e paqes dhe sigurisë, duke i propozuar vendeve të Kartës së Adriatikut, SHBA- A5, kontribut të përbashkët në misionin e NATO-s në Irak.
Pak muaj pas marrjes së kryesimit të Kartës së Adriatikut nga Shqipëria, shefat e shtabeve të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të A-5 u mblodhën në vendin tonë në konferencën e posaçme, ku u mbështet propozimi që Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të jenë pjesë e misionit të NATO-s në Irak.

Konferencën, ku merrte pjesë edhe zëvendëskomandanti i forcave amerikane në Evropë, gjenerallejtnant Stephen Twitty, e përshëndeti edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila nënvizoi intensifikimin gjatë dy viteve të fundit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikë në fushën e mbrojtjes. Ministrja Xhaçka theksoi edhe një herë qëndrimin e vendit tonë për politikën e dyerve të hapura edhe për Kartën e Adriatikut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Është më e rëndësishme se kurrë që dyert e kësaj nisme të vazhdojnë të mbeten të hapura. A-5 duhet te behet sa me shpejt A-6 pse jo, edhe A-7. Unë besoj se ajo do të ishte një ditë e mirë për sigurinë e rajonit, por edhe një lajm shumë i mirë për sigurinë e gjithë Evropës”, tha Xhaçka.

Duke e vlerësuar Kartën e Adriatikut si një udhërrëfyes për anëtarësimin në NATO, ministrja Xhaçka u ndal edhe te detyrimet që këto vende kanë si anëtare të Aleancës.

“Të jesh anëtar i NATO është mbi të gjitha një përgjegjësi. Një përgjegjësi për të përqafuar vlerat mbi të cilat është ngritur Aleanca, për të bashkëpunuar për konsolidimin e sigurisë e stabilitetit të rajonit tonë, por edhe për të kontribuar për sigurinë tonë kolektive kudo që të jetë nevoja. Prandaj, unë dua t’ju propozoj sot, që të diskutojmë dhe të miratojmë propozimin tonë për një përfaqësim të përbashkët për vendet e A-5 në misionin e NATO në Irak”, tha në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes.

Në konferencë, mori pjesë edhe Republika e Kosovës me statusin e vëzhguesit dhe si vend që ka aplikuar për t’u anëtarësuar. Në përfundim, shefat e shtabeve të A-5 dolën me një deklaratë të përbashkët ku mbështetën propozimin e Shqipërisë që vendet anëtare të Kartës së Adriatikut të marrin pjesë në misionin e NATO-s në Irak, duke ia deleguar këtë propozim Ministerialit të A-5, i cili do të mbahet në Tiranë në dhjetor të këtij viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb