FUSHË ARRËZ
Misioni i tij është të përhapë fjalën e Zotit, por kjo nuk mjafton kur jeton mes të varfërve. Ai e di se përveç shpalljes së besimit, duhet të zbatojë gjithashtu një nga tre shtyllat e fesë që përfaqëson: kujdesin ndaj të pamundurve.
Frat Andreas Waltermann, një prift katolik, mbërriti në Fushë Arrëz në vitin 2007 si një bekim për banorët e veriut. Ai njihet gjithnjë rrugëve të maleve, duke u ofruar ndihmë atyre që kanë nevojë. Jeta në këtë rajon është e vështirë, por ai është i lumtur që mund t’i shërbejë.
Ai shërben pa u lodhur, duke përballuar sfidat që i ofron jeta në terrenin e vështirë malor, me të cilin është mësuar tashmë. Por brenga e tij më e madhe është largimi i të rinjve nga këto troje dhe, shpesh, mungesa e mbështetjes nga shteti, veçanërisht në infrastrukturën e fshatrave.
Gjatë viteve, Frat Andreas ka arritur të realizojë shumë projekte për të përmirësuar jetën e banorëve. Deri tani janë ndërtuar 300 banesa të reja falë donacioneve që ai mbledh nga bamirësit në Gjermani dhe Austri. Po ashtu, janë restauruar qindra shtëpi të tjera. Ai ka mbështetur financiarisht afro 200 të rinj për të vazhduar studimet e larta, ndërsa ka ndihmuar me financimin e trajtimeve mjekësore jashtë vendit. Ka kontribuar në ofrimin e ambulancave, zjarrfikëseve, ndihmës për ndërtimin e urave, rrugëve, linjave elektrike, ujësjellësve dhe shumë projekte të tjera, pa u lodhur.
Frat Andreas është shpresa e banorëve të zonave ku shërben, dhe dëshira e tij e vetme është që njerëzit të mos largohen nga këto troje. Ai vazhdon të jetë një dritë shprese, duke i dhënë gjithnjë forcë dhe mbështetje atyre që kanë nevojë.