TIRANE- Gjashtë anëtarë të ekuipazhit fluturues të Forcave të Armatosura janë kthyer në heronj të një familje në njësinë administrative Lis në Burrel. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, banesa e familjes Gjetani u gjend “nën pushtetin” e ujit pa patur asnjë mundësi shpëtimi.

Menjëherë pas sinjalizimit të rastit, një grup shpëtimi nga Farka u angazhua për t’i ardhur në ndihmë 5 anëtarëve të familjes Gjetani, gjyshit, gjyshes 85-vjeccare, burrit, gruas shtatzënë dhe fëmijës së tyre 5-muajshe.

Pesë anëtarë të këtij ekuipazhi, nënkoloneli Agim Sallaku, majori Dritan Dyrmishi, tetari Bledi Zaimi, rreshteri Genci Dervishi dhe tekniku i bordit Saimir Balla; kanë rrëfyer në studion e “News 24” të gjitha detajet nga ky operacion-shpëtimi.

Duke shprehur edhe emocionet e përjetuara gjatë shpëtimit të foshnjës 5-muajshe, ata tregojnë edhe momentet e vështira gjatë ndërhyrjes nga ajri me helikopterin e Ushtrisë, edhe për shkak të kushteve të vështira të motit dhe terrenit të vështirë ku ndodhej banesa e familjes Gjetani.

Si erdhi sinjali tek ju, dhe si u vutë në gatishmëri?
Agim Sallaku, nënkolonel: Një ndër detyrat tona si pjesë e Forcave Ajrore është pjesëmarrja në operacion në ndihmë të popullatës. Sot ka qenë një detyrë e vështirë për shkak edhe të kushteve të vështira të motit. Me marrjen e sinjalit, u vunë në lëvizje trupat fluturuese. U aktivizua grupi i Farkës, dhe ishin 6 persona në ekuipazh.

Sa e vështirë ishte të shpëtohej kjo familje?
Dritan Dyrmishaj, major: Me marrjen e sinjalit, ekuipazhi u nis në drejtim të fshatit ku ishte familje. U ndeshëm me kushte të vështira moti, shi dhe erë të fortë. Në vendngjarje situata ishte vështirë edhe për shkak të terrenit, ku kishte pemë, kabllo, shtylla elektrike. Dy kolegë duhet të zbrisnin me vinç mbi shtëpinë.

Bledi Zaimi, tetar: Jam testuar në Angli për disa vite, dhe këtu kam marrë pjesë në operacione të ndryshme shpëtimi. Në këtë rast, vështirësia e parë ishte për shkak të kushteve atmosferike. Po kështu edhe terreni ku ndodhej shtëpia. Unë zbres me litar për të shpëtuar qytetarët. Kontrollohen objektet në zonë, vendi ku do të zbresim. Në këtë rast ne zbritëm në çatinë e shtëpisë. Komunikova me pjesëtarët e familjes. Në fillim diskutuam për t’i mbajtur sa më qetë, u thamë që ishim aty për t’i shpëtuar.

Genci Dervishi, rreshter, operator vinçi në rastet e shpëtimit: Unë i përgjigjem shenjave që më jep tetari, dhe komunikoj me pilotët për të realizua ndërhyrjen.

Saimir Balla, Teknik bordi: Gjatë fluturimit jam në ndihmën e pilotëve. Në rastin e shpëtimit kaloj në ndihmë të operatorit ët vinçit. Në rastin e sotëm Bledit iu desh ndihmë për shpëtimin e foshnjës. Për shkak të moshës së fëmijës, u desh të zbrisnim të dy.

Si e gjetët këtë familje? Momenti i parë si kontaktuat me ta?
Agim Sallaku, Nënkolonel: Ne jemi trajtuar për këto lloj operacionesh. Sapo shkuam në zonë, morëm masa, për sigurinë e ekuipazhit në radhë të parë, në mënyrë që të ishim plotësisht të gatshëm për të garantuar edhe personat që do të shpëtonim. Problem ishin pemët e larta në zonë. Hapësira ka qenë e limituar. Ishte i vështirë terreni ku do uleshim, por në sajë të një organizimi mjaft korrekt arritëm të shpëtonim familjen. Kemi vepruar nga shumë afër çatisë së shtëpisë së tyre. Operatori i vinçit ka bërë një punë të shkëlqyer, pasi ka qenë tepër e vështirë për të vepruar. Megjithatë ne ia arritëm me sukses. Ishin në familje gjyshi me gjyshen, burri me gruan, dhe një foshnjë e vogël. Shpëtuam gruan dhe foshnjën. Dhe pushteti vendor shpëtoi me varka tre anëtarët e tjerë të familjes.

Patët druajtje nga këta banorë për të kaluar tek ju në helikopter?
Bledi Zaimi, tetar: Dikush që nuk e ka parë diçka të tillë, ka shumë frikë dhe emocione. Por në këto momente është me rëndësi të ruash gjakftohtësinë. Një moment i burri i shtëpisë, na tha kujdes si do ta marrësh foshnjën. I thashë pa merak se ne për këtë punë jemi. Edhe gruaja e shtëpisë ishte shumë e vjetër në moshë. Fillimisht kundërshtuan, por pastaj çdo gjë shkoi mirë.

Agim Sallaku, nënkolonel: Ne e kuptuam që e kishin frikë të na e besonin ne foshnjën. Gjyshërit e mbanin foshnjën në krahë. Dhe ne u përpoqëm t’i bindnim që ne rrezikonim jetën tonë, për të shpëtuar foshnjën.

Saimir Balla, Teknik bordi: U futëm brenda dhe e mbështollëm foshnjën me batanije. Foshnja nuk po qante, ishte një moment, kur po përpiqeshim të dilnim nga dritarja e katit të dytë. U përpoqa ta vijë mbi një krevat, por edhe krevati ishte në ujë, aq shumë ishte dëmtuar shtëpia. Më pas mbulova foshnjën me xhupin tim.
Bledi Zaimi, tetar: Edhe pasi u lidhëm bashkë me foshnjën, dhe do të shkëputeshim për t’u ngjitur lart, gjyshi e mbante Saimirin nga krahët. Kishte merak. Atëherë i thashë që ta lëshonte, pasi ne po ngjiteshim. Dhe vetëm pak minuta më pas ne ishim në helikopter.

C’mund të na thoni në lidhje me operacionin për shpëtimin e dy personave që ishin me gomone persona në det?
Nënkoloneli Agim Sallaku: Fati deshi që të ishim të njëjtët pjesëtarë dhe në datën 6. Ppasi u sinjalizuam për rastin, u nisëm për fluturim. Zona ishte e gjerë, dhe na u deshën 40 minuta monitorimi. Pamja ishte e keqe për shkak të motit dhe ekuipazhi nuk mund të dallonte dot pikën nga ku u bë sinjalizimi.

Kë operacion do cilësonit si më të rrezikshmin…?
Nënkoloneli Agim Sallaku: Ky ishte më i vështirë, për shkak të foshnjës por dhe të terrenit. Objekti ku duhej të merrej fëmija ishte shumë i kufizuar. Një gabim i vogël, dhe humbje jetën.

Saimir Balla: Të gjithë misionet kanë vështirësinë e tyre. Ky është misioni më i bukur për shkak të foshnjës.

24 orëshi juaj si është?
Nënkoloneli Agim Sallaku: Nis që me lindjen e diellit, që për ne është në orën 06:00. Ekuipazhi për 15 minuta bëhet gati në rast rreziku. Jemi në gatishmëri në çdo kohë.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb