Një gjeneral rus, brigada e të cilit është akuzuar për torturimin dhe vrasjen e Russell Bentley, ka vdekur në Ukrainë, sipas disa raporteve.
Gjeneralmajor Pavel Klimenko komandonte Brigadën e 5-të në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetsk.
Klimenko, 47 vjeç, është raportuar i vdekur nga disa blogerë ushtarakë rusë, duke përfshirë Vazhnye Istorii, një platformë ruse e gazetarisë investigative, sipas të cilës edhe motrat e Klimenkos e kishin konfirmuar vdekjen e tij në mediat sociale.
Gjithashtu Radio Evropa e Lirë raportoi se Klimenko vdiq të enjten. Një nga motrat e tij gjithashtu konfirmoi vdekjen në ASTRA, një kanal Telegram i pavarur që raporton luftën Rusi-Ukrainë.
Nuk është e qartë se si vdiq Klimenko. Ai ishte me origjinë nga Stavropol, Rusi, shërbeu në Krimenë e aneksuar përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022 – ndërsa u gradua gjeneral-major në maj të këtij viti.
Klimenko besohet të ketë qenë një nga komandantët që dyshohet se ngriti atë që ASTRA e ka quajtur më parë një “kamp përqendrimi” në majë të një miniere të braktisur në Petrovskaya (Donetsk), në Ukrainën lindore.
Pikërisht aty besohet se Bentley u torturua dhe përfundimisht u vra në prill. Sipas hetimit të ASTRA-s, është gjithashtu vendi ku ushtarët rusë u torturuan për të hequr dorë nga pagat dhe pagesat e tyre.